Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Kryeziu kritikon opozitën për mungesë në protestë kundër çmimeve të energjisë

Kryeziu kritikon opozitën për mungesë në protestë kundër çmimeve të energjisë

Qëndrim Kryeziu ka reaguar pas protestës së sotme kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, ku sipas tij morën pjesë jo më shumë se 250 qytetarë.

Kryeziu e ka cilësuar si “të pafalshme” neglizhencën e partive opozitare ndaj asaj që e quan “urgjencë kombëtare”, duke theksuar se nga PDK-ja ishte i vetmi pjesëmarrës, ndërsa nga AAK vetëm Dardan Krasniqi.

“Duke qenë pasive, partitë opozitare nuk do ta ndryshojnë vetvetiu Albin Kurtin. Përkundrazi, sa më tolerant që tregohemi ne, aq më shumë do të stërkeqet pushteti,” ka deklaruar ai.

Ai ka akuzuar qeverinë Kurti për mbështetje politike ndaj KEDS-it dhe për, siç thotë, “skllavërim ekonomik të qytetarëve”, duke theksuar se energjia që blihet nga KEK me 29.5 euro për MWh u shitet qytetarëve deri në 250 euro për biznese.

“Hajni dhe i korruptuari nuk korrigjohen kurrë nga brenda, por vetëm kur dikush tjetër angazhohet për t’i kufizuar,” ka shtuar Kryeziu.

Në fund, ai ka bërë thirrje për rezistencë qytetare dhe angazhim më të madh të opozitës, duke theksuar se “ka ardhur koha që hajnat të përfundojnë në burg dhe populli t’i rifitojë të drejtat e mohuara”.