Qendrim Kryeziu ka reaguar me një deklaratë të fortë lidhur me, siç i quan ai, krimet e pandëshkuara, duke kritikuar përfaqësuesit institucionalë për mungesë veprimi.
Sipas Kryeziut, këto krime nuk harrohen lehtë, por janë lënë në harresë nga ata që përfaqësojnë qytetarët. Ai theksoi se ka investuar edhe kapital personal dhe familjar për t’i dokumentuar këto raste dhe për t’i paraqitur ato para opinionit ndërkombëtar.
“Një nga pikat për të cilat kam shkrirë kapitalin personal dhe të familjes, që t’i dokumentoj këto krime para botës, do të jetë pikë e padiskutueshme në Parlamentin e ardhshëm të Kosovës”, është shprehur ai.
Kryeziu ka nënvizuar se drejtësia duhet të vihet në vend dhe se personat përgjegjës duhet të përballen me ligjin.
“Kriminelët duhet të dalin para drejtësisë”, ka përfunduar ai.