Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kryeziu: Kosova dhe Shqipëria duhet të iniciojnë padi ndërkombëtare ndaj Serbisë për gjenocid

Kryeziu: Kosova dhe Shqipëria duhet të iniciojnë padi ndërkombëtare ndaj Serbisë për gjenocid

Qëndrim Kryeziu ka deklaruar se inicimi i një padie ndërkombëtare kundër Serbisë për politikat e saj gjenocidiale ndaj popullit shqiptar përbën interesin më të madh kombëtar të kohës sonë, shkruan TV Arbëria.

Gjatë një takimi me Adnan Asllanin, krijuesin e Lulekuqës – simbolit të viktimave të gjenocidit serb në Kosovë – Kryeziu tha se diskutuan mbi domosdoshmërinë historike dhe juridike të ndërtimit të një procesi ndërkombëtar që do të adresonte krimet sistematike të Serbisë ndaj shqiptarëve.

Sipas tij, Kosova, në bashkërendim të plotë me Shqipërinë, duhet të shfrytëzojë çdo mekanizëm diplomatik dhe juridik për jetëzimin e kësaj padie, duke mos lënë “asnjë gur pa lëvizur” në funksion të drejtësisë historike.

Kryeziu theksoi se mendësia gjenocidiale serbe nuk lidhet vetëm me luftën e fundit në Kosovë, por është produkt i një politike shfarosëse të ndërtuar dhe promovuar nga Beogradi për më shumë se një shekull.

Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, pa një dënim të qartë juridik për krimet e kryera ndaj shqiptarëve, përbën relativizim dhe normalizim të krimit.

“Çdo paqe pa drejtësi është vetëm embrioni i një tragjedie të re”, u shpreh Kryeziu, duke shtuar se sakrifica e viktimave obligon klasën politike shqiptare që të mos e tradhtojë kauzën e tyre për asnjë interes afatshkurtër politik.