Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kryeziu akuzon Kurtin për mashtrim me listat e veteranëve: Premtoi pastrim, nuk bëri asgjë

Kryeziu akuzon Kurtin për mashtrim me listat e veteranëve: Premtoi pastrim, nuk bëri asgjë

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Qëndrim Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti lidhur me çështjen e listave të veteranëve të UÇK-së, duke e cilësuar këtë proces si mashtrim politik dhe propagandë elektorale.

Sipas Kryeziut, Kurti erdhi në pushtet duke luajtur me, siç u shpreh ai, “plagën më të ndjeshme të shtetit”, fryrjen e listave të veteranëve, duke premtuar pastrim të tyre, premtim që sipas tij nuk u realizua as pas pesë vitesh qeverisje.

“E vërteta është e thjeshtë dhe brutale: nuk u mor asnjë veprim real. Zero”, ka deklaruar Kryeziu, duke shtuar se brenda një viti listës së përfituesve të pensionit të veteranit iu shtuan edhe 165 persona, duke e çuar numrin mbi 37 mijë përfitues, me një kosto prej rreth 90 milionë eurosh në vit për buxhetin e shtetit.

Ai ka theksuar se Ministria e Financave nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë rritje, ndërsa Qeveria dhe Kryeministri, sipas tij, po heshtin dhe po shmangen nga përgjegjësia.

Kryeziu ka kritikuar edhe rastin e njohur të listës së prokurorit Elez, duke e quajtur kulmin e padrejtësisë, pasi, sipas tij, veteranë të vërtetë u njollosën publikisht dhe u përfshinë në procese gjyqësore së bashku me persona mashtrues.

“Kjo nuk është drejtësi, por frikë politike për të mos prekur interesat që Kurti i përdori për të ardhur në pushtet”, ka deklaruar ai.

Në fund, Kryeziu është zotuar publikisht se me ardhjen e PDK-së në pushtet, çështja e veteranëve do të zgjidhet në mënyrë përfundimtare dhe të drejtë. Ai ka premtuar verifikim serioz, ligjor dhe përfundimtar, rehabilitim të plotë për veteranët e vërtetë dhe të drejtë për dëmshpërblim për ata që janë dëmtuar nga veprimet e shtetit.

“Sipas Kryeziut, fatura politike dhe ligjore nuk do t’u bjerë veteranëve, por atyre që kanë manipuluar me këtë proces”, thuhet në reagim.