Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së, Ganimete Musliu ka thënë se pas publikimit të lajmit se në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi është gjetur një pajisje e dyshimtë përgjuese, ka tentuar që të kontaktojë me drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti por nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ai.
Musliu tha se pret që Ajeti ta kontaktojë dhe t’i jap përgjigje.
Ajo ka theksuar se pret që rasti të zbardhet sepse ky është akt i shëmtuar që cenon lirinë e individit dhe mediave.
“ Unë i kam përcjellë me shumë shqetësim lajmet që kanë dalë gjatë ditës lidhur me rastin e gazetarit Vehbi Kajtazi dhe para disa orëve nëpërmjet rrjeteve sociale e kam shprehur shqetësimin tim dhe kam kërkuar nga organet kompetente që të merren me rastin pa e drejtuar gishtin nga askush derisa faktet ta dokumentojnë dhe vërtetojnë se kush qëndron prapa këtij akti të shëmtuar i cili cenon lirinë e individit dhe të mediave. Unë para se të reagojë kam tentuar të kontaktoj me drejtorin e AKI-së por e kisha të pamundur. Deri më tani nuk kam kontaktuar. Jo nuk kam marrë përgjigje, kam tentuar të diskutoj, edhe pse komunikimin e kemi shumë zyrtar dhe të shëndosh. Pres që drejtori i AKI të më marrë në telefon ose të më shkruaj që të diskutojmë për çështjen. Varet nga rastet dhe situatat për çka e kam kontaktuar.”, tha Musliu në T7.
Ajo tha se pret që rasti të zbardhet dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
“Pres që të zbardhet ky rast dhe të mos lëmë hapësirë për spekulime dhe e vërteta të dalë e ata përgjegjës që e kanë bërë këtë akt të shëmtuar që krijon frikë të dalin para drejtësisë. Besoj që nesër e tutje do të kemi informacione të sakta dhe rasti të zgjidhet sa më shpejt dhe ky problem të ketë adresë dhe të gjithë ata që marrin guximin të shantazhojnë gazetarët tw dalin para drejtësisë kushdo qofshin ata.”, tha Musliu.