Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për të ndarë nga 100 euro për studentët vetëm pesë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, duke e cilësuar këtë veprim si tentativë të hapur për blerje votash.
Në një postim publik, kreu i PDK-së ka deklaruar se kryeministri në largim, i cili “ka humbur çdo legjitimitet”, po vepron nga paniku i humbjes që, sipas tij, e pret më 12 tetor. Ai ka theksuar se pas katër vitesh të qeverisjes me dështime dhe me degradim të sistemit arsimor, ndarja e 26 milionë eurove në prag të zgjedhjeve nuk është një mbështetje e sinqertë për studentët, por një përpjekje e qartë për të ndikuar në votën e tyre.
“Megjithatë, ky është një tjetër gjykim i gabuar për studentët kosovarë, sepse ata as nuk blihen e as nuk shiten”, ka shkruar ai, duke ftuar studentët që t’i marrin mjetet, të cilat vijnë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën të votojnë për ndëshkimin e “një kryeministri që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit”.