Kryetari i Odës Ekonomike Shqiptare, Hyzer Gashi, ka realizuar një vizitë zyrtare në Londër, ku është pritur nga përfaqësues institucionalë dhe drejtues të odave ekonomike shqiptare dhe nga Koosva në Mbretërinë e Bashkuar. Vizita kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ekonomik mbarëkombëtar dhe prezentimin e projekteve strategjike të Odës.
Gjatë takimit me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës në Londër, Artan Labjani, u diskutua për krijimin e mekanizmave të rinj të koordinimit ndërmjet bizneseve shqiptare në diasporë dhe zgjerimin e rrjeteve të bashkëpunimit në tregun britanik.
Kryetari Gashi zhvilloi takim edhe me kryetarin e Odës Ekonomike Shqiptare në Londër, Zenel Hoxha, ku paraqiti programin strategjik të Odës me fokus rritjen e partneriteteve ekonomike dhe bashkëpunimeve ndërshqiptare.
Në kuadër të vizitës, Gashi u takua edhe me veprimtarin e çështjes kombëtare, Hysamedin Oruci, i cili i dorëzoi Bibliotekës Qendrore të Londrës literaturë të dokumentuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ngjarja u moderua nga një deputet i Parlamentit të Britanisë së Madhe, duke nënvizuar rëndësinë historike dhe institucionale të këtij momenti.
Në eventin përmbyllës të organizuar nga Oda Ekonomike Britaniko-Kosovare, Gashi prezantoi projektet madhore të Odës Ekonomike Shqiptare, përfshirë hekurudhën nëntokësore Prishtinë–Tiranë dhe vizionin për qarkullimin ekonomik mbarëkombëtar në përputhje me trendet moderne të zhvillimit.
Oda Ekonomike Shqiptare vlerëson se vizita e Gashit në Londër hap mundësi të reja për partneritete ekonomike, investime dhe projekte të përbashkëta mes bizneseve shqiptare dhe atyre në Mbretërinë e Bashkuar.

