Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjete sociale, ku akuzon se ndaj tij është duke u zhvilluar një fushatë e organizuar shpifjesh dhe dezinformatash, e cila po financohet me mijëra euro në baza ditore.
Sipas Lladrovcit, “Mijëra euro sponsorizime në ditë – nuk i ndihmojnë bedelëve për ta devijuar vullnetin qytetar.” Ai pretendon se që nga data 11 shtator, “dhjetëra faqe lëshojnë lajme të rreme, lajme të nxjerra nga konteksti dhe të prera me qëllim të manipulimit të opinionit”, ndërsa për çdo postim kundër tij po bëhen pagesa të drejtpërdrejta.
“Më pagësojnë për çdo postim kundër meje, bashkë me qindra profile të rreme (me një shok e dy, apo profile të krijuara ditëve të fundit), po përhapin shpifje kundër meje,” shkruan ai, duke shtuar se “numri i telefonit që bën porosinë e sponsorizimit, është i njohur për mua dhe bën pagesa për profile (media) të rreme.”
Ai thekson se kjo fushatë nuk përfshin vetëm profile të rreme, por edhe “pagesa nga krerët e PDK-së me aktivistët jashtë Drenasit në përkrahje të kandidatit, si dhe vet kandidati me dhjetëra profile tjera reale.”
Lladrovci paralajmëron se qëllimi i kësaj fushate është “devijimi i vullnetit qytetar për ditën kur keqbërësit e bedelët do të marrin dënimin e merituar, më 12 tetor.”
Ai shpreh shqetësimin për ndikimin e këtyre veprimeve në klimën demokratike të komunës:
“Me gjithë këto sponsorizime me mijëra euro me bazë ditore, me profile të rreme, kultura demokratike në Drenas është e kërcënuar nga shpifjet. Humbja për keqbërësit dhe bedelët është e sigurt dhe shpifjet nuk do t’ju ndihmojnë.”
Në fund të reagimit, kryetari Lladrovci i bën thirrje institucioneve për të ndërhyrë:
“Ftoj organet e sigurisë të ndërmarrin masat e nevojshme për identifikimin e shkelësve të ligjit, reagimin e KPM-së ndaj mediave elektronike që përhapin dezinformata dhe shpifje si dhe PZAP-në, të verifikojë burimin e financimit të këtyre faqeve e profileve të rreme që po përdoren në fushatë me qëllim të denigrimit të profilit dhe personalitetit tim në kohë fushate.”
Postimi përmbyllet me moton e fushatës së tij:
“Me 101 arsye, vazhdojmë edhe katër!”.
