Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, sot shprehu ngushëllime me rastin e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë, si pasojë e të cilit humbën jetën qindra persona.
Ajo tha se Kryesia e Kuvendit në emër të Grupit të Miqësisë, Kosovë-Turqi do t’i përcjellë kërkesë për Qeverinë e Kosovës për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.
“Kryesia e Kuvendit të Kosovës, gjithashtu në emër të Grupit të Miqësisë, Kosovë-Turqi do të përcjellë një kërkesë për Qeverinë e Kosovës për ndihmë zonës së prekur e gjithashtu edhe për ndihmë gjitha familjeve, të cilat kjo tragjedi e madhe ka rrënuar dhe ka marrë shumë nga jeta e tyre.”, tha ajo.
Ngushëllime për viktimat si pasojë e tërmetit në Turqi, shprehu edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Tahiri kërkoi nga Qeveria e Kosovës t’i dalë në ndihmë Turqisë me të gjitha kapacitet ushtarake në kërkimin e viktimave dhe shpëtimin e qytetarëve.
“Shpreh ngushëllime për të gjitha viktimat e shkaktuara nga tërmeti i sotëm që ka ndodhur në Republikën e Turqisë, po ashtu i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha hapat që një shteti aleat i yni që është Republika e Turqisë t’i dalë në ndihmë me të gjitha kapacitet tona që përmban ushtria e Republikës tonë në kërkimin e viktimave dhe shpëtimin e qytetarëve për aq sa mund të bëhet.”, tha ai.
Ndryshe, në mëngjesin e sotëm, Turqia dhe Siria janë goditur nga tërmeti, i cili ka lënë të vdekur qindra persona.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe ka bërë të ditur se Republika e Kosovës dhe populli i Kosovës në këto çaste të vështira janë në gatishmërinë më të lartë për mbështetje dhe solidaritet.
/TV Arbëria