Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kryeprokurori special flet për rastin e Enver Sekiraqes

Kryeprokurori special flet për rastin e Enver Sekiraqes

Pasi ishte ushtruar ankesë nga ana e Prokurorisë Speciale për vendimin të lirimit në arrest shtëpiak për Enver Sekiraqën, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim që të aprovoj këtë ankesë dhe të njëjtin ta rikthente në masën e paraburgimit, aktvendim ky për të cilin njoftimi bë më 17.05.2024.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj nuk komentoi vendimin paraprak për masën e arrestit shtëpiak e tha se tashmë çdo veprim tjetër i takon vetëm gjykatës.

Ai nuk komentoi vendimet e gjykatës as njërin e as tjetrin deri sa foli për veprimet që kanë ndërmarrë.

“Ne e kemi bërë punën tonë, rasti është tash në gjykatë çka do që keni ju lutem drejtohuni në gjykatë. Nuk është më në fazën e hetimeve nuk kemi më asgjë këtu”, tha Kryeprokurori Isufaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda kishte marrë vendim më 03.05.2024 që të liroj nga paraburgimi Sekiraqën dhe ti ndryshoj masën në arrest shtëpiak.

“Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.170/2020, të datës 03.05.2024, të pandehurit E.S, i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak me datën 03.05.2024 dhe i njëjti është liruar të mbrohet në liri”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Në të njëjtin njoftim thuhet se Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin e datës 17.05.2024, e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, të datës 03.05.2024, e ka ndryshuar, ashtu që të pandehurit Enver Sekiraqa i është caktuar masa e paraburgimit, e cila do të zgjasë deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar me aktgjykimin e gjykatës themelore.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar sot se Enver Sekiraqa, është arratisur pas ndryshimit të masës së sigurisë, pasi Gjykata e Apelit dy ditë më parë kishte vendosur që të njëjtin ta kthejë në paraburgim.

Policia ka konfirmuar për Telegrafin se tashmë janë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Enver Sekiraqës.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.