Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kryepeshkopi Nikolla Xhufka reagon ashpër: Thirrja për rrënimin e një kishe është gabim moral, ligjor dhe shoqëror

Kryepeshkopi Nikolla Xhufka reagon ashpër: Thirrja për rrënimin e një kishe është gabim moral, ligjor dhe shoqëror

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Kosovës (KOAK), Nikolla Xhufka, ka reaguar publikisht ndaj thirrjeve të bëra së fundmi për rrënimin e një objekti fetar ortodoks në Kosovë. Në një deklaratë të fuqishme, ai e cilësoi këtë gjuhë si të rrezikshme dhe të papranueshme, duke theksuar se vendet e shenjta nuk mund të trajtohen si mjete konfliktesh politike.

Në reagimin e tij, Kryepeshkopi Nikolla tha:

“Thirrja për rrënimin e një kishe është gabim i rëndë në çdo epokë. Është gabim moral, ligjor dhe shoqëror”.

Ai theksoi se një objekt i shenjtë nuk mund të mbahet përgjegjës për veprimet e individëve që mund ta kenë ndërtuar apo përdorur me qëllime të gabuara:

“Kisha nuk mban faj për krimet e individëve që e ndërtuan me qëllime të gabuara — vendet e shenjta nuk gjykohen si provokime politike. Ato janë hapësira lutjeje, jo objekte lufte”.

Duke theksuar se Kosova është shtet sovran me institucione funksionale, ai rikujtoi se menaxhimi i trashëgimisë ortodokse është kompetencë e KOAK-ut dhe e institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Sot Kosova është shtet sovran… Vendimet për fatin e çdo objekti fetar i takojnë shtetit dhe KOAK-ut, jo emocioneve të ditës dhe jo deklaratave që dëmtojnë imazhin tonë ndërkombëtar”.

Kryepeshkopi paralajmëroi se retorika e shkatërrimit dëmton perceptimin ndërkombëtar për Kosovën dhe ushqen narrativat që synojnë ta dobësojnë shtetin:

“Hedhja e ideve për shkatërrim është jo vetëm e gabuar — është e rrezikshme. Ajo na ul para botës dhe ushqen narrativat që duan ta dobësojnë Kosovën”.

Në vijim të deklaratës, ai e lidhi këtë çështje me ringjalljen e identitetit kulturor të shqiptarëve

“Ne jemi pasardhës të Dardanëve, popull që ndërtoi tempullin, jo buldozerin. Popull që nderonte të shenjtën, jo që e shkatërronte atë”.

Duke e mbyllur reagimin e tij të fortë, Kryepeshkopi Nikolla bëri thirrje për maturi, respekt dhe sundim të ligjit:

“Kosova forcohet me ligj, me maturi dhe me respekt ndaj çdo vendi të shenjtë në territorin e saj. Mjaft është mjaft — jo për Kishën, por për mendësinë që kërkon konflikt në kohën e ringjalljes sonë”.