Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, ka pranuar propozimin e kryeministrit hungarez Viktor Orbán për të zhvilluar bisedime.
Parlamenti i Hungarisë ende nuk e ka ratifikuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke nxitur zhgënjimin në të gjithë aleancën pasi Budapesti ishte zotuar vazhdimisht s’do të ishte i fundit që do të nënshkruante.
Gjatë javës, Orban i shkroi homologut të tij suedez duke i propozuar një takim, raporton The Guardian.
Në një letër të publikuar nga SVT e Suedisë sot, Kristersson shkroi:
“Jam dakord me ju se një dialog politik më intensiv midis vendeve tona do të ishte i dobishëm. Ka, siç e përmendni, disa çështje me interes të përbashkët – dypalësh, me bashkëpunimin tonë për avionët luftarakë Gripen; në BE, në funksion të Presidencës suaj të ardhshme; dhe sigurisht, brenda NATO-s, si aleatë. Përfundimi i procesit të ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO në parlamentin hungarez do të krijojë një bazë solide për të ecur përpara në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të përforcuar mirëkuptimin dhe besimin reciprok”.
Orbán kishte thënë dje se do t’i kërkonte parlamentit të Hungarisë të votonte në favor të anëtarësimit të Suedisë. Sot, megjithatë, kryetari i parlamentit të Hungarisë, László Kövér, tha se nuk ka urgjencë për këtë çështje.
Në një intervistë me portalin pro-qeveritar të lajmeve Index, kryeparlamentari akuzoi Suedinë për trajtimin e Hungarisë me “arrogancë dhe neglizhencë”.
I pyetur se çfarë duhet të bëjë Suedia, Kövér tha se “për shembull, do të ia vlente ta merrnim seriozisht njëri-tjetrin”.
Kryetari i Parlamentit hungarez tregoi se ai aktualisht nuk e mbështet pranimin e Suedisë, por shtoi se do të ishte “i lumtur” nëse Suedia “do të më jepte sa më shpejt mundësinë për të ndryshuar gjendjen time me ndërgjegje të pastër”.
Orbán dominon partinë e tij qeverisëse Fidesz dhe deputetët ndjekin me kujdes udhëzimet e tij – duke bërë që shumë aleatë perëndimorë të vënë në dyshim sinqeritetin e pretendimeve të qeverisë hungareze se vonesat janë jashtë kontrollit të tyre.