Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, refuzoi të shkojë në samitin e djeshëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.
Në vend të tij, për Serbinë në këtë samit folën dy liderë me tendenca autoritare. Viktor Orban i Hungarisë dhe Robert Fico i Sllovakisë, raporton Gazeta Express.
Ky i fundit lavdëroi vendimin e Vuçiqit për të mos marrë pjesë në këtë samit, duke e quajtur atë një politikan sovran, ndërsa BE-në e akuzoi për padrejtësi ndaj Serbisë.
Ngjashëm akuzoi bllokun edhe Orban.
Fillimisht, Fico u ankua për një dëm që ai tha se iu shkaktua aeroplanit të tij në Bruksel, të cilin krahas ‘protestës’ së Vuçiqit, i theksoi si dy ngjarjet që e karakterizuan ngjarjen e djeshme.
“Samiti i vështirë në Bruksel nuk nisi mirë. Në aeroport, një mjet me shkallë dëmtoi avionin tonë deri në atë masë sa ai nuk është më i aftë për fluturim dhe jemi të detyruar ta lëmë këtu. Në një gjendje po aq skeptike u zhvillua edhe takimi i mbrëmjes me vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE. Shpreha mbështetje të veçantë për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili me qëllim nuk mori pjesë në këtë samit për të protestuar kundër trajtimit të padrejtë të Serbisë nga institucionet e BE-së. Serbia është një shtet sovran dhe presidenti i saj është një politikan sovran — diçka që nuk tolerohet mirë në BE”.
Ai vazhdoi ankesën duke thënë se Serbisë i vendosen vazhdimisht gjithnjë e më shumë kushte për anëtarësim në BE, “në mënyrë që hyrja e saj të shtyhet sa më gjatë, edhe pse Serbia është ndër vendet më të përgatitura”.
Gjithashtu, Fico akuzoi BE-në për standardet të dyfishta, duke shtuar se ato janë “një tipar karakteristik i politikës europiane.”
“Nga njëra anë, lojtarët e mëdhenj po e shtyjnë Ukrainën drejt BE-së, edhe pse ajo është absolutisht e papërgatitur; nga ana tjetër, Serbia po pengohet të anëtarësohet në Union sepse është tepër krenare, vetëbesuese dhe sovrane. Aleksandar Vuçiq dhe populli serb do ta kenë gjithmonë mbështetjen time”, shkroi ai.
Fico është një aleat i Rusisë dhe vazhdimisht kundërshton politikat e BE-së karshi Moskës që aplikon për shkak të luftës që nisi në Ukrainë. Ai ka kundërshtuar edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ka qenë nga liderët e paktë që ka shkuar atje për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.