Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka hedhur poshtë komentet e presidentit rus Vladimir Putin për rrezikun e përshkallëzimit nëse Ukrainës i lejohet të përdorë armë me rreze më të gjatë të furnizuar nga NATO për të goditur objektivat brenda Rusisë, siç ka kërkuar presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy.
Reuters raporton se, duke folur për mediat, Tusk tha të premten në mëngjes se deklaratat e Putin tregojnë për “situatën e vështirë” në front, transmeton Gazeta Express.
“Është e nevojshme të merren shumë seriozisht të gjitha ngjarjet në Ukrainë dhe në frontin ukrainas-rus, por unë nuk do t’i kushtoja rëndësi të tepruar deklaratave të fundit të Presidentit Putin. Ata më tepër tregojnë situatën e vështirë që kanë rusët në front”.
Presidenti rus ka thënë se heqja e kufizimeve të raketave me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë do të nënkuptonte se vendet e NATO-s do të ishin në luftë me Rusinë.
Duke marrë pyetje nga gazetarët në Moskë, Putin tha: “Nëse merret ky vendim, nuk do të thotë asgjë më pak se pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e vendeve të NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve europiane në luftën në Ukrainë”.
Më herët sot, një aleat kryesor i Putinit, kryetari i Dumës së Shtetit të Rusisë, Vyacheslav Volodin, u bëri jehonë këtyre fjalëve, duke pretenduar se “SHBA, Gjermania, Britania dhe Franca po diskutojnë mundësinë e sulmeve duke përdorur armë me rreze të gjatë në territorin e vendit tonë. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të kamufluar dhe fshehur pjesëmarrjen e tyre të drejtpërdrejtë në aksionin ushtarak”.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer është sot në Uashington për t’u takuar me presidentin amerikan Joe Biden, ku pritet të kërkojë miratimin e SHBA-së për një plan për të lejuar Ukrainën të përdorë raketën britanike “Storm Shadow” për të goditur objektivat brenda Rusisë.