Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar disa takime bilaterale në Paris me përfaqësues të lartë nga Finlanda, Belgjika dhe Franca, në kuadër të Forumit të Paqes.
Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti u takua me Johannes Koskinen, Kryetar të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Finlandës, Peter De Roover, President të Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, dhe Bruno Fuchs, Kryetar të Komisionit për Punë të Jashtme në Asamblenë Kombëtare të Francës.
Sipas njoftimit, takimet u përqendruan në thellimin e bashkëpunimit dypalësh, krijimin e partneriteteve të reja dhe përparimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Kryeministri në detyrë Kurti ka theksuar se Finlanda, Belgjika dhe Franca janë shtete mike dhe aleate historike të Kosovës, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të tyre ndaj shtetndërtimit dhe zhvillimit demokratik të vendit.