Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Kryeministri libanez bën thirrje për armëpushim përgjatë kufirit me Izraelin

Kryeministri libanez bën thirrje për armëpushim përgjatë kufirit me Izraelin

Kryeministri në detyrë i Libanit, Najib Mikati, bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm përgjatë kufirit me Izraelin, duke thënë se lufta ka pasur ndikim shkatërrues në shtetin e tij.

Mikati bëri thirrje për zbatimin e një rezolute të Kombeve të Bashkuara që i dha fund luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit –në verën e vitit 2006, dhe mundësoi dislokimin e trupave libaneze përgjatë kufirit me Izraelin, në koordinim me paqeruajtësit e OKB-së.

Mikati foli në hapejn e samitit arabo-islamik në Riad të Arabisë Saudite.

Ai tha se lufta ka shkaktuar “humbje të paprecedent”, pasi më shumë se 3.000 persona janë vrarë, përfshirë 775 gra dhe fëmijë.

Mikati tha se lufta mes Izraelit dhe Hezbollahut po ashtu ka shkaktuar 8.5 miliardë dollarë humbje, përfshirë 3.4 miliardë dollarë dëme dhe shkatërrim të rreth 100.000 shtëpive në pjesë të ndryshme të shtetit.

Hezbollahu është grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian ka futur në listën e zezë krahun ushtarak, por jo edhe grupin politik të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

“Asnjë shtet nuk mund të mbajë barrën e këtij shkatërrimi të madh”, tha Mikati, duke shtuar se Bejruti do të ngrehë një fond, që do të financohet nga shtetet miqësore, për procesin e rindërtimit.

Që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – tetorin e vitit të kaluar, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi.

Tensionet u përshkallëzuan në tetor, teksa Izraeli intensifikoi sulmet ajrore në mbarë Libanin ndaj Hezbollahut dhe nisi ofensivë tokësore në jug të Libanit.

Powered by WordPress