Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kryeministri Kurti e ka pranuar të kundërtën e asaj që e ka deklaruar në Al Jazera

Kryeministri Kurti e ka pranuar të kundërtën e asaj që e ka deklaruar në Al Jazera

Shkruan: Afrim Kasolli

Nuk dihet se cilat janë motivet që e kanë çuar kryeministrin Albin Kurti ta pranoi Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe as planin e zbatimit në Ohër. Mbase ka shpresuar se në këtë mënyrë po e hap rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbase ka rënë në lajthitje nga këshilltarët e tij dhe nuk e ka ditur se për çka është duke u pajtuar? Apo mbase ka besuar se me zbulimin që i ka bërë marrëdhënieve ndërkombëtare, si “marrë” dhe “dhënie” do të arrijë ta fitoj njohjen nga Serbia. Apo ka qenë i detyruar ta bëjë një gjë të tillë nga veprime okulte politike?

Në këtë rast mund të ngrihen shumë pyetje hipotetike. Po të vërtetën e plotë të kësaj “enigme” politike duhet të na rrëfej ai personalisht . Dhe atë, sidomos për të kuptuar disa nga arsyet se pse Kosova është katandisur kështu në aspektin ndërkombëtar. Sepse, kryeministri është pajtuar pikërisht me të kundërtën e asaj që e ka pohuar në mediumin e njohur Al Jazera, pra për themelimin Asociacionit të komunave me shumicë vetëm si pjesë e pakos së asaj marrëveshje.

Është e vërtetë se detyrimi për ta themeluar këtë entitet është trashëguar nga qeverisjet e kaluara. Po ashtu, tashmë ai është shndërruar edhe në akt gjykim kushtetues, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, kur thuhet se Kosova ka për detyrim ta implementojë këtë detyrim, pasi t’i përshtat të gjitha parimet e tij me frymën e Kushtetutës. Po ashtu, është e vërtetë se në Marrëveshjen bazë të Brukselit ky obligim gjendet në nenin 7 të këtij pajtimi siç edhe ka pohuar kryeministri. Mirëpo, nuk është kjo e tëra. Sepse në planin për zbatimin e saj të dakorduar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Qeveria e Kosovës është pajtuar edhe për këtë pikë, në të cilën thuhet tekstualisht se “Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së.” Dhe për më shumë “Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja”.

Pra shihet qartë se operacionalizimi i Marrëveshjes bazë e ngarkon Kosovën që pa humbur kohë t’i fillojë proceduat në drejtim të konkretizimit të nenit 7. Dhe pikërisht këtë akord kryeministri Kurti dikur e konsideronte si arritjen më të madhe të shtetit të Kosovës.

Madje edhe veprimet e tij të mëvonshme e kanë konfirmuar këtë zotim të shtetit të Kosovës. Në dy raste, fillimisht në një letër dërguar nga ai personalisht, presidentja Osmani si dhe kryeparlamentari Konjufca, raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bokojanis, ata betoheshin se do t’i fillonin procedurat në drejtim të themelimit të Asocacionit në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Po ashtu, të njëjtin veprim e kishte përsëritur ministrja e Punëve të Jashtme të Donika Gërvalla, pak para takimit të Këshillit Ministror të kësaj organizate.

Kështu, e vërteta është se Albin Kurti është pajtuar për ta themeluar këtë entitet, që siç kanë shkruar, Leon Hartëell dhe Jack Galloëay, në shkrimin, “West Appeases Serbia’s Bullying” nuk ekziston një lidhje kauzale ndërmjet zbatimit të tij dhe përfundimit të konfliktit me Serbinë. Për më tepër Serbia as nuk është e detyruar ta njoh Kosovën edhe pas themelimit Asociacionit, sepse sipas po kësaj marrëveshje, të dy palët i qasen pa paragjykim statusit të Kosovës.

Ndërkohë, mbase Albin Kurti mund të jetë penduar për këtë gabim. Dhe tenton ta shmang në pafundësi ballafaqimin me pasojat e veprimeve të veta politika, duke çuar tash edhe vendin në kolizion më bashkësinë ndërkombëtare, që shënon një tjetër pasojë fatale për shtetin e Kosovës./tvarbëria/

Themes by WordPress