Ministrja e Jashtme e Japonisë, Yoko Kamikawa, ka arritur në Kosovë për vizitë zyrtare.
Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla Schwarz, ka pritur homologen e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’.
“Kjo vizitë historike shënon një hap të rëndësishëm në fuqizimin e marrëdhënieve të forta ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Japonisë dhe një dëshmi e angazhimit të përbashkët për të ndërtuar ura të reja miqësie dhe partneriteti mes dy vendeve tona”, shkroi Gërvalla Schwarz në Facebook, teksa bashkëngjiti edhe fotografitë nga pritja.
Kamikawa do të qëndrojë në Kosovë për vizitë në kuadër të një vizite në rajon. Siç njoftoi Ministria e Jashtme e Japonisë, ajo përveç Kosovës pritet të vizitojë edhe Italinë, Serbinë nga 15 deri më 21 korrik.