Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron po viziton Kosovën, ai është pritur në aeroport nga Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla
Cameron, ka mbërritur në Kosovë, në një vizitë një ditore, ku do të zhvillojë takim me Presidenten, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministrin, Albin Kurti dhe zv.Kryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Kjo është vizita e parë që Lord David Cameron zhvillon në Ballkan pas zgjedhjes së tij si Ministër i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.
”Republika e Kosovës është destinacioni i tij i vetëm nga shtetet e Evropës Juglindore që kësaj radhe viziton ai. Kryediplomati David Cameron është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, nga zv. Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, me të cilën do të zhvillojë takim ditën e nesërme duke filluar nga ora 08:30 në zyrat e MPJD-së”.
“Pas takimit dypalësh, zv.Kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron do t’iu adresohen medieve. David Cameron ka qenë Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 dhe aktualisht ushtron detyrën e Ministrit të Jashtëm”, ka njoftuar Ministrja e Jashtme.
/TV Arbëria