Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Krusha e vogël fshati i tragjedive të mëdha

Krusha e vogël fshati i tragjedive të mëdha

Shkruan: Agron Limani
 Të nderuar të pranishëm, të respektuar organizatorë të këtij prezantimi, të nderuar miq e dashamirës të Kosovës, ju falënderoj për praninë tuaj dhe për mundësinë që ma dhatë për të prezantuar të vërtetat tona.
Fshati Krushë e Vogël për nga numri i banorëve është i vogël, por parë nga përmasa e tragjedisë, është i madh. Skaj rrugës Prizren – Gjakovë njerëzit kishin ndërtuar shtëpitë e tyre modeste dhe jetonin e punonin me nder e përkushtim. Shqiptarët përbënin shumicën, por aty jetonin edhe disa familje serbe dhe rome. Marrëdhëniet e banorëve ishin relativisht normale derin në vitin 1989, pra deri në kohën kur Serbia ia hoqi me dhunë autonominë Kosovës. Pas kësaj pasoi një periudhë e rëndë për shqiptarët, të cilët u privuan nga të drejtat qytetare e njerëzore. Nisi një dhunë sistematike shtetërore në forma të ndryshme. Shqiptarët i larguan me dhunë nga shkollat, fabrikat, administrata, spitalet, gjykatat, policia dhe jeta u vështirësua. Shumë të rinj e profesionistë u detyruan të emigrojnë, ndërsa ata që nuk u larguan përjetuan dhunë sistematike. Më të vështirë e bënin jetën në fshat e rrethinë serbët vendas, të cilët herë pas here ktheheshin me plaçkë e grabitur në Kroaci e Bosnjë dhe shtinin me armë duke “kremtuar” fitoret e tyre mbi civilët kroatë e boshnjakë. Në këtë mënyrë sikur donin të na dërgonin mesazhin edhe neve në Kosovë. Serbët u armatosën me të gjitha llojet e armëve dhe terrorizonin e frikësonin banorët paqësorë të Krushës së Vogël. Njerëzit rraheshin e kërcënoheshin çdo ditë nëpër rrugët e Kosovës dhe kjo dhunë bëhej publikisht për të mbajtur nën tension njerëzit e pafajshëm. Viktimë e kësaj dhunë kam qenë edhe unë vetë, kur në maj të vitit 1993 bashkë me profesor Ukshin Hotin vizituam grevistët të udhëhequr nga Adem Demaçi, të cilët kërkonin lejimin e mediave në gjuhën shqipe dhe hapjen e shkollave për fëmijët shqiptarë.
Në afërsi të Drenasit policët serbë na torturan në mënyrë çnjerëzore, duke na goditur me shkopinj gome, kondak pushkësh, grushta e shqelma në kokë, në fytyrë, në trup dhe në çdo pjesë të trupit. Si pasojë patëm brinjë të thyera, dëmtim të organeve të brendshme dhe tronditje të rënda shpirtërore. Pasi e shfrynë mllefin e tyre sadist na kërcënuan se herës tjetër do t’na vrisnin nëse vazhdonim të protestonim. Dhe ashtu ndodhi vërtetë, Ukshin Hoti konsiderohet i zhdukur që nga 16 maji i vitit 1999, kur u nxor nga burgu dhe u rrëmbye nga oficerët e shërbimit sekret serb, ndërsa ende ne nuk dime se ku e kanë dërguar.
Tragjedia më e rëndë do të pasonte natën kur do të ndërhynte NATO më 24 mars 1999. Gëzimin dhe shpresën tonë e kthyen në vuajtje e mjerime të mëdha fqinjët tanë serb, të cilët u prinë forcave ushtarake e policore serbe, për të kryer masakra e dëbime të shqiptarëve.
Duke e ditur çfarë u kishte ndodhur kroatëve e boshnjakëve nga serbët, ndërsa të freskëta i kishim djegiet, shkatërrimet e vrasjet shqiptarëve të Kosovës në operacionin serb të gushtit e shtatorit 1998, e dija se kësaj radhe pasojat do të jenë edhe më të rënda. U përpoqa që të marr me vete sa më shumë burra e të rinj nga turma e grave dhe e fëmijëve, mirëpo njerëzit nuk donin të ndaheshin nga familjarët e tyre. Pas thirrjes sime që së paku të rinjët të largoheshin nga fshati, sepse qëndrimi aty paraqiste rrezik për ta, disa nga të pranishmit thanë: – Ne jemi civilë të paarmatosur, pse do të na sulmonin pasi nuk paraqesim asnjë rrezik për askënd?!
– Ju keni të drejtë, – ju thashë, por se serbët tradicionalisht kanë sulmuar njerëzit e pambrojtur dhe të paarmatosur. Me shpresën se serbët do t’i rrahnin e plaçkitnin, por nuk do të kishte tragjedi më të madhe se kaq, qëndruan me familjarët e tyre.
Bashkë me pesë të rinjët u ngjitëm malit dhe e pamë se si digjeshin shtëpitë tona nga banorët serb të fshatit tonë, fqinjët tanë të deridjeshëm, të cilët i plaçkitnin gjësendet tona e më pas ua vinin flakën. Gratë e fëmijët, të tronditur e të frikësuar, u dëbuan me dhunë në Shqipëri. Pak kohë më pas mësuam nga disa të mbijetuar se, serbët i kishin plaçkitur, torturuar e më pas i kishin futur fëmijët, të rinjët, burrat e pleqtë në një shtëpi përdhese dhe i kishin ekzekutuar me gjakftohtësi. Gjashtë nga të mbijetuarit kanë rrëfyer tmerrin e përjetuar dhe kanë treguar se si mbi ata 109 persona që i kishin futur në atë shtëpi, ishte shtënë me armë automatike dhe në fund asaj shtëpie i ishte vënë zjarri.
Serbët shtinin pa ndërprerë mbi njerëzit. Ata binin pa jetë ose të plagosur në tokë. Trupat e tyre binin mbi njëri -tjetrin dhe britmat e njerëzve dëgjoheshin me të madhe. Të gjallët, të plagosurit dhe të vdekurit filluan të digjeshin, ku të gjallët thërrisnin me sa zë që kishin për ndihmë .
Shtëpia ishte kthyer në hi e pluhur dhe në një varr masiv të përbashkët. Në atë shtëpi qenë vrarë 103 persona, përfshi edhe fëmijë të moshës 13 vjeçare e pleq në moshë të shtyrë. Njerëzit ishin ekzekutuar në rrugë e në shtëpitë e tyre, për ta çuar në 113 numrin e të vrarëve në Krushë të Vogël. Ky numër është shumë i madh krahasuar me numrin e banorëve dhe shprehur në përqindje, rreth shtatëdhjetë për qind e meshkujve të fshatit janë vrarë. Vetëm ata që kishin arritur të fshiheshin nëpër male dhe të tjerët që ishin larguar me herët në emigracion, kishin shpëtuar. Kështu serbët e zhbënë një fshat të tërë.
Përmasa e tragjedisë është e rëndë, sepse fshati mbeti pa burra dhe e tërë barra e ringritjes së familjeve u mbeti 82 grave të veja, të cilat u kujdesën për 145 fëmijët jetim. Dhjetë familje i humbën të gjithë meshkujt, pa pasur mundësi reprodukimi. Pothuajse të gjitha familjet krushjane kanë humbur nga një e deri në nëntë anëtarë të familjes (meshkuj). Vetëm tetë shtëpi i patën shpëtuar zjarrit, mirëpo aty qenë vendosur banorët serb pas dëbimit të shqiptarëve dhe qëndruan aty deri në qershor të vitit 1999, kur me hyrjen e NATO-s në Kosovë, u larguan nga vendi i krimit, duke e marrë në shpirt barrën e tragjedisë dhe përgjegjësinë e masakrimit të shqiptarëve të Krushës së Vogël.
Momenti më i rëndë në jetë na është dukur dita kur shumë njerëz kishin dalë nëpër rrugë dhe festonin lirinë. Ata përqafoheshin me familjarët e tyre, qeshnin e gëzonin, sepse më në fund pas njëqind vjetësh shqiptarët po e gëzonin ditën e shumëpritur të lirisë. Ndërsa ne pak krushjanë që kishim mbijetuar nuk dinim se çka të bënim: të gëzoheshim apo të qanim.
Ne u rikthyem në hirin e shtëpive tona të djegura dhe ky fshat na u duk se nuk ishte asgjë më shumë se një fshat i vrarë në trup e në shpirt. Nuk dinim nga t’ia nisnim së pari: të merreshim me rindërtimin e shtëpive tona apo të vihemi në kërkim të eshtrave të më të dashurve tanë! Në shpirt na rëndojnë fjalët e pathëna për njerëzit tanë që nuk janë më, sepse nuk u thamë sa shumë i deshëm në çastin e fundit kur u ndamë nga ata. Mua më ngushëllon përfaqimi i fundit me vëllanë tim Luanin, i cili sapo i kishte mbushur 22 vjet dhe kishte plot ëndrra e synime jetësore. Serbët ia këputën jetën mu në lule të rinisë.
Krushjanët i gjetën dhe i identifikuan 52 të vrarët, ndërsa 61 të tjerë ende figurojnë të zhdukur, tre prej të cilëve anëtarë të familjes time të ngushtë. Mbase asnjëherë nuk do t’i gjejmë, ngase fqinjët tanë serbë e ngarkuan hirin e tyre bashkë me rrënojat e shtëpisë së tmerrit dhe i hodhën në lumin Drini i Bardhë. Vetëm një person është kapur dhe dënuar me një dënim qesharak për këtë masakër, ndërsa të tjerët jetojnë të lirë në Serbi e gjetkë. Urdhërdhënisit dhe urdhërzbatuesit trajtohen si patriotë serb dhe ende thurin plane e ëndërrojnë për rikthim në vendin e krimit.
Plagët e kësaj tragjedie nuk janë mbyllur, përkundrazi ato ende kullojnë gjak, sepse si drejtësia ndërkombëtare poashtu ajo shqiptare, duke ikur nga përgjegjësia historike e tyre, për të zbuluar dhe dënuar krimin, e kanë lënë hapur plagën e dhembjes për brezat e qytetarëve të Krushës së Vogël.
Aty ku tani është ngritur një memorial dhe tek varret e atyre pak meshkujve që janë identifikuar, çdo 26 mars ne shkojmë për t’i nderuar e kujtuar, si dhe për ta përsëritur mesazhin e dhimbjes e të tragjedisë. Po ashtu, për të kërkuar me ngulm zbardhjen e fatit të të zhdukurve tanë të shumtë.

Për ta dokumentuar këtë masakër kam punuar me durim me një koleg timin duke mbledhë të dhëna, dëshmi e fakte për këtë masakër, duke dashur t’ua rrëfejmë botës dhe pasardhësve tanë sa shtrenjtë e kemi paguar çmimin e lirisë tonë. Libri ynë „Fshati i vrarë“, është përkthyer edhe në gjuhën angleze. Mendoj se bota duhet ta dijë çfarë ka ndodhur në Krushë të Vogël dhe gjithandej Kosovës, jo për nxitje të urrejtjes, mirëpo nëse nuk mësojmë nga historia jonë e dhimbshme, atëherë fatkeqësitë mund të na përsëriten me përmasa edhe më tragjike.

Themes by WordPress