Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kronika e një fitore të paralajmëruar presidenciale për Donald Trump-in

Kronika e një fitore të paralajmëruar presidenciale për Donald Trump-in

Shkruan: Afrim Kasolli

Kandidati i Partisë Republikane, Donald Trump, tashmë presidenti i ri i SHBA-ve në janar të vitit 2025 do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë. Ai po bëhet presidenti i dytë amerikan në histori që e rifiton këtë pozitë pasi e ka humbur njëherë.

Ky rezultat thuajse ishte i “pashmangshëm”. Nuk mund te pritej ndryshe kur të gjitha hulumtimet e opinionit publik tregonin se 72 për qind e shoqërisë amerikane ishin të pakënaqur me gjendjen ekonomike në vend. Dhe vetëm 26 mendonin ishin të kënaqur më këtë realitet. Po ashtu 62 për qind e qytetarëve të këtij vendi vlerësonin se kushtet e tyre ekonomike do të përkeqësohen dhe vetëm 32 për qind se do të përmirësohen. Prandaj, në këtë klimë të pakënaqësisë, ankthit dhe zemërimit kolektiv, siç shkruante para pak dite mediumi i njohur britanik BBC, kandidati republikan e gëzonte një përparësi në këtë betejë sepse nuk ishte në pushtet, gjatë akumulimit të këtij zemërimi. Dhe ku sot një pjesë e madhe e opinionit publik është ka pushtuar zhgënjimi mbi efektet e demokracisë amerikane.

Sipas një hulumtimi të prezantuar nga New York Times, vetëm 45 për qind e tyre besojnë se aktualisht demokracia amerikane po i përfaqëson njerëzit e zakonshëm. Kurse 62 për qind pohojnë ajo është shndërruar në një instrument për të mbrojtur më shumë interesat e elitave se sa të mirën e përbashkët.

Natyrisht, këto perceptime nuk do të thotë se përputhen plotësisht me të dhënat statistikore. Dhe jo çdo gjë kishte shkuar keq në aspektin ekonomik gjatë administratës së Joe Bidenit. Pikërisht, kohë më parë, profesori i politikave publike, në Universitetin e Kalifornisë Robert Reich, në shkrimin “Biden’s record on the economy is good but voters don’t feel it. Character, not policy, is key to victory”, kishte argumentuar se të gjitha trendet makro-ekonomike, ishin me pozitive gjatë kësaj administrate se sa në kohën e ish-presidentit Trump-it, mirëpo që këto nuk po ndjeheshin nga publiku.

Kurse, sipas Fared Zakarisë, që nga koha e ish-presidentit Ronald Regan e deri para katër viteve, politikat kryesore ekonomike të gjitha administratave amerikane e kishte dominuar prirja vetëm për shkurtim të taksave të të pasurve dhe thellim të borxhit publik. Nuk është e rastësishme që sipas tij, në mesin e 20 kombeve më të zhvilluara në botë shkalla e mortaliteti të foshnjave ishte më e larta në Amerikë. Ndërkohë, me Bidenin ndryshuan këta parametra. U përdorën fondet federale për investime në infrastrukturë,në energji, dhe përkujdesje të fëmijëve. Janë hapur 15 milionë vende të reja të punës. Si dhe inflacioni gjatë dy viteve ishte stabilizuar plotësisht. Mirëpo, për arseje tashmë të njohura, kjo parti u përfshi nga kriza e lidershipit. Për të dal nga kjo situatë ajo në momentet e fundit e zëvendësoi presidentin Biden me zëvendësen e tij, Kamala Harris, eksperiment ky që nuk u tregua efektiv.

Përpos, këtyre dinamikave ishin edhe ndarjet sociale dhe ekonomike në shoqërinë amerikane, që po e shtronin shtratin për këtë sukses të kandidatit republikan. Donald Trump kishte prapa vetës një grup shumë më homogjen në aspektin politik të dominuar kryesisht të nga rrymat fetare evangjelike. Grup ky që sipas trendeve demografike është në rënie e sipër, çfarë e bënë edhe më të motivuar dhe me fanatik në mbrojtje të supermacisë kulturore. Në faktor tjetër që ka ndikuar në këtë rezultat ishte zhvendosja e grupeve heterogjene sociale dhe ekonomike të lidhura tradicionalisht me Partinë Demokratike, sikur se qytetarët me origjinë hispanike, arabe dhe sindikatat e punëtorëve, drejt kampit republikan.

Donald Trump ia doli që dy prej këtyre shtresave, t’i rekrutojë me premtimin për operacioni më të madh të dëbimit të imigrantëve të paligjshëm si dhe vendosjen e tarifave tregtare kundër Kinës, por edhe vendeve aleate për të mbrojtur vendet e punës. Nuk është e rastësishme as në këtë drejtim që ata që njihen si punëtore pa diploma universitare të përcaktohen me shumë për kandidatin republikan. Kurse ata me një të tillë për atë demokrate. Mirëpo, kjo ndarje e ka ushqyer edhe me shumë perceptimin se Kamala Harris, nuk ishte asgjë tjetër pos një kandidate e elitave, kurse Donald Trump i njerëzve të zakonshëm të braktisur dhe të harruar nga sistemi.

Natyrisht, këtij perceptimi i kontribuoi edhe vetë Kamala Harris, duke e zhvendosur fokusin e fushatës nga raportet ndërmjet ekonomisë dhe demokracisë tek kërcënimi që e pozonte sipas saj kandidati Donald Trump për këtë të fundit. Ajo nuk demonstroi guxim ta adresonte problemin pabarazisë ekonomike që do të nënkuptonte një beteje më të ashpër kundër kompanive të mëdha, sepse edhe vetë nominimi i saj u bë i mundur vetëm pasi donatorët miliarderë të partisë e braktisën presidentin aktual, Joe Biden dhe u përcaktuan për ta mbështetur Kamal Harrisin. Një akt ky që kishte ngritur shumë pikëpyetje mbi karakterin e tij demokratik. Sepse deri sa ndodhi ky konvertim i pozitave nuk është kishte pasur një kërkesë masive nga baza anëtarësisë partiake ndaj Bidenit për t’u tërhequr nga kjo garë. Shumica e senatorëve demokratë në këtë institucion, po ashtu edhe atyre në përfaqësuesve në Kongres, nga kjo parti nuk ishin kundër Joe Bidenit. As ata nga Komiteti Kombëtar Demokrat.

Kështu, derisa i pari fliste se si do t’i mbronte qytetarët e zakonshëm ekonomikisht, e dyta se si do ta mbronte demokracinë. Mirëpo, siç treguan edhe hulumtimet e sipër cekura, se kjo e fundit nuk ishte ne rrugë të duhur u shndërrua në disponim masiv amerikan.

Për fund nuk duhet përjashtuar as proceset e vazhdueshme juridike ndaj tij. Këtë ndërmarrje ligjore, Donald Trump ia doli që ta përkthej si një gjueti të shtrigave kundër tij. Kohë më parë në shkrimin se “A mund t’i ndihmojë politikisht ky dënim jurdik, Donald Trumpit?” pata shkruar se ekziston mundësia që ai ta ushqejë edhe më shumë bazën e tij elektorale me aureolën e martirit, që pasi ia kishin vjedhur fitoren popullore në zgjedhjet e fundit, tash mëtonin ta persekutonin edhe juridikisht./tvarbëria/

Themes by WordPress