Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kronika e një dështimi të paralajmëruar

Kronika e një dështimi të paralajmëruar

Shkruan: Afrim Kasolli

Kam shkruar edhe herë tjera se fitoret e brendshme politike të kryeministrit Kurti po shndërrohen në humbje diplomatike të shtetit të Kosovës. I tillë është edhe dështimi për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, ku gjatë gjithë kohës pushteti ishte i vetëdijshëm për obligimet që duhet për t’i plotësuar, mirëpo i injoronte ato në sytë e publikut. E tillë ka qenë tema e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e 24 hektarëve tokë si pronë e Manastirit të Deçanit. I madh e vogël, zyrtarë të këtij pushteti betoheshin se nuk do ta merrnin në konsideratë këtë detyrim, me argumentin se Kosova nën qeverisjen e tyre ka shënuar progres të jashtëzakonshëm demokratik dhe se ky fakt është vërejtur edhe nga organizatat prestigjioze ndërkombëtare. Deri sa në fund, Albin Kurti e pranoi implementimin e këtij vendimi – “të çuditshëm” e “të padrejtë”.

Sidoqoftë, në këtë rast i pari i Qeverisë së Kosovës, ka kalkuluar se mund ta shmang humbjen publike më argumentin se ky vendim nuk lidhet me të personalisht, se ai është duke e bërë “maksimumin në raport me një trashëgimi të keqe aspak minimale”.

Por në rastin e Asociacionit, situata është më ndryshe. Është e vërtetë se Bashkësia Ndërkombëtare e konsideron detyrim shtetëror të Kosovës themelimin e këtij entiteti duke u bazuar edhe nga Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, por draft-statuti i tij, është produkt ekskluziv i dialogut të drejtuar nga Albin Kurti. Sepse shtetet e QUINT-it edhe në letrën dërguar dje institucioneve të Kosovës, ngulmojnë që drafti i përgatitur nga i dërguari i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajcak, është i vetmi i pranuar për ta që duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Pra është ai draft të cilin Albin Kurti e mbronte para deputeteve të Kosovës si dokument që e ndërpret trashëgiminë “mos njohëse të Serbisë mbi Kosovën”.

Ndërkohë, pa kaluar shumë kohë, ai filloi të pozicionohet kundër tij. Madje të deklaronte se mund ta shkruajë edhe vetë një draft-statut etj etj. Dhe duke e “legalizuar” këtë tendencë nëpërmjet ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në letrën e djeshme dërguar Këshillit të Evropës, me shpresën për t’ia ndërruar mendjen kësaj organizate në momentin e fundit, se “Qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimi e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe i i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serbe të Republikës së Kosovës”.

Atëherë më të drejtë shtrohet pyetja se si mund deshifrohen këto salto politike të kryeministrit? Ku brenda një harku të shkurtër kohor i refuzon ato që i ka pranuar? Sepse asnjëra nga kërkesat aktuale të Bashkësisë Ndërkombëtare, si kusht për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës, nuk bie në kundërshtim me atë për të cilën është pajtuar kryeministri.

E tillë është edhe kërkesa e vendeve të QUINT-it për Asociacionin. Ajo ndodhet qartë e brendashkruar në planin e sekuencimit të Marrëveshja së Ohrit, ku thuhet se “Për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së” si dhe “Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”.

Mirëpo, siç duket ai është pajtuar më këto terma më shpresën për ta eklipsuar presidentin serb Aleksandër Vuciq në arenën ndërkombëtare, duke marrë parasysh natyrën e regjimit të tij. Por, për fatin e tij të keq, lufta në Ukrainë shumë më shumë e ka favorizuar të parin se sa Albin Kurtin. Madje, kjo u vërejt edhe para pak ditë, kur ministri i Punëve të Jashtme të atij shteti qëndroi për vizitë në Beograd e jo në Prishtinë, përkundër retorikës së zjarrtë anti-Putin si të presidentes Osmani ashtu edhe të vetë Kurtit. Duke qenë se ai nuk ia doli të ketë përfitime nga ky acarim gjeopolitik, atëherë e vemja strategji i mbeti përpjekja për ndarjen e agjendës integruese nga ai normalizimit të raporteve me Serbinë. Mirëpo, pas ndryshimit të kornizës negociuese të Bashkimit Evropian në raport me Serbinë u pa qartë se kjo qaseje është iluzion i radhës.

I ndodhur pa asnjë shtegdalje atëherë Albin Kurtit, nuk i mbeti alternativë tjetër pos skandali i ditës së djeshme, ministres së Punëve të Jashtme, duke propozuar fillimin e procesit, përsëri nga e para. Qëllimi i kësaj letre befasuese shihet qartë se nuk ishte anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës. Por krijimi i një alibie të brendshme politike se ai e bëri të pamundurën, por nuk mund të bëjë lëshime dhe kompromise ekstreme, pavarësisht se tashmë ato i ka pranuar dhe qëndrojnë në tavolinën e dialogun për shtetin e Kosovës. Me këtë dështim, kryeministri dëshmoi vetëm se është shembull tipik ai asaj që e përshkruante si dobësi diplomatike të të tjerëve, duke bërë kompromise për Kosovën pa marrë asgjë në këmbim. Dështimi për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës është rast tipik i kësaj logjike.

 

 

Powered by WordPress