Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kroacia ndaloi në kufi “pastën e fistikëve” dhe specat nga Shqipëria për përmbajtje të lartë toksinash dhe pesticideve të ndaluara

Kroacia ndaloi në kufi “pastën e fistikëve” dhe specat nga Shqipëria për përmbajtje të lartë toksinash dhe pesticideve të ndaluara

Autoritetet kroate kanë ndaluar dy ngarkesa me produkte bujqësore nga Shqipëria për shkak të pranisë së substancave të dëmshme për shëndetin. Më 8 shtator, një ngarkesë me “pastë fistikësh” u ndalua pasi u gjet një përqindje e lartë e Aflatoksinës, një toksinë e rrezikshme. Ky produkt u asgjësua në vend, ndërsa më 3 tetor sistemi Evropian RASFF njoftoi ndalimin, duke paralajmëruar edhe shtetet e tjera për bllokimin e këtij produkti.

Gjithashtu, më 1 tetor, Kroacia ktheu një ngarkesë me speca djegës nga Shqipëria, pasi analizat treguan praninë e pesticideve të ndaluara Flonicamid, Chlorfenapyr dhe Tebufenpyrad, substanca që tejkalojnë nivelet e lejuara në Bashkimin Evropian. Ngarkesa ishte marrë nga zona e Mollasit dhe Cërrikut të Elbasanit.

Në përgjigje, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Krimi Ekonomik në Shqipëri ka kryer kontrolle në pikën e grumbullimit në Divjakë më 2 tetor, megjithatë deri tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga AKU lidhur me këto ngjarje.

Kjo situatë pason një seri rastesh ku Kroacia, Italia dhe Greqia kanë kthyer mbrapsht produkte bujqësore shqiptare për shkak të pranisë së pesticideve jashtë normave të lejuara, duke ngritur shqetësime mbi cilësinë dhe sigurinë e eksportit bujqësor shqiptar.