Kroacia i ka shpallur të padëshirueshëm zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, kryeparlamentarin dhe një deputet.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europiane e Republikës së Kroacisë e njoftoi sot Malin e Zi përmes një note dërguar Ambasadës së Malit të Zi në Zagreb se Andrija Mandiq, kryetari serb i Parlamentit të Malit të Zi, Milan Knezheviqin, deputeti nga partia pro-ruse Fronti Demokratik dhe Aleksa Beçiq, zëvendëskryeministër, janë të padëshiruar në Kroaci për shkak të veprimeve sistematike për prishjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe abuzimit të vazhdueshëm të Republikës së Kroacisë për qëllime të brendshme politike, raportojnë mediat kroate.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europiane shpreh keqardhjen që shumica në Parlamentin e Malit të Zi vendosi t’i injorojë thirrjet e vazhdueshme nga Republika e Kroacisë për të mos ndërmarrë lëvizje që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rrugën europiane të Malit të Zi. vihen në pah veprimet e zyrtarëve politikë të përmendur, të cilët nuk mund të konsiderohen dashamirës dhe fqinjësorë në raport me Republikën e Kroacisë dhe as nuk janë në përputhje me qëllimin e deklaruar për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Europian”, thuhet në një njoftim për shtyp të ministrisë kroate.
MPJ e Kroacisë thotë se “marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga elementët kyç i procesit të zgjerimit, si dhe procesit të stabilizimit dhe asocimit, dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e progresit në procesin e pranimit të Malit të Zi, në përputhje me Kornizën Negociuese të Bashkimit Europian për Malin e Zi”.
Më tej u tha se Kroacia mbështet Mali i Zi Europian, procesin e anëtarësimit të tij në Bashkimin Europian dhe se avokon për përparim në rrugën europiane të Malit të Zi.
“Republika e Kroacisë pret që Mali i Zi të sillet në përputhje me vlerat europiane dhe në frymën europiane dhe do t’i përqendrojë përpjekjet në përmbushjen e mëtejshme të kushteve dhe kritereve në procesin e anëtarësimit”, tha ministria e jashtme kroate.