Shkruan: Afrim Kasolli
Kriza në Siri dhe Gjeorgji, është intensifikuar përsëri “befasisht”. Për Ukrainën të mos flasim.
Forcat opozitare pro evropiane janë ngritur në protesta masive kundër Qeverisë së drejtuar nga Irakli Kobakhidze dhe planeve të tij për të pezulluar negociatat për anëtarësim të vendit në Bashkimin Evropian. Sipas hulumtimeve të opinionit publik më se 70 për qind e qytetareve duan integrim në strukturat euro-atlantike. Ndërkohë, ekzistojnë dyshime serioze se zgjedhjet e mbajtura në atë vend, të fituara nga partia “Ëndrra Gjeorgjiane”, ishin të manipuluara nga ndikimi rus. Presidentja e vendit, Salome Zurabishvili, e ka quajtur, si jo legjitim Kuvendin e dalur nga ai proces zgjedhor. Pra pasi Moska e ka vjedhur vullnetin demokratik të qytetarëve të Gjeorgjisë, tash kërkon ta mbajë peng të ardhmen euro-atlantike të tij, për ta shndërruar atë në një shtet vasal, si kundër-përgjigje ndaj Perëndimit. Kjo politike agresive ndaj Tbilisit, kishte filluar që nga viti 2008, kur NATO i kishte bërë ftesë Gjeorgjisë për anëtarësim në kuadër të kësaj Aleance. I njëjti skenar si në Ukrainë?
Në anën tjetër, kur dukej se lufta në Siri se po shkonte drejt qetësimit, befasisht forcat kryengritëse të drejtuara nga fraksioni opozitar Hayat Tahrir al-Sham (HTS) së bashku me Forcat Nacionale Siriane e pushtuan qytetin e dytë me të madh në vend atë të Alepos, si dhe janë duke marshuar drejt qytetit Hama. Natyrisht, sipas shumë analistëve ndërkombëtarë rikthimi i kësaj kryengritje nuk është vetëm shpërthim spontan. Por ka të bëjë me zhvillime tjera gjeopolitike. Siç dihet nga të gjithë, Regjimi i Bashar al-Assadit, ia doli ta mbijetojë luftën civile në atë vend, falë mbështetjes së Rusisë dhe trupave të Hezobollahut të mbështetur nga Irani. Mirëpo, koncentrimi i Moskës kryesisht në Ukrainë si dhe dëmtimi i Hezbollahut nga lufta me Izraelin e ka dobësuar forcën e së regjimit në Damask. Në këtë fazë Rusia e ka jetike vazhdimin e sukseseve në terren në Ukrainë, prandaj edhe nuk ka shumë mundësi të jetë efektive në fronte të tjera. Shto këtu faktin se gjatë muajit nëntor sipas gazetës britanike “The Guardian”, Ushtria ruse i ka pasur përfitimet më të mëdha territoriale. Natyrisht, ky triumf nuk ka kaluar pa pasoja ekonomike. Për shkak të ngarkesës së luftës, rubla ruse ka filluar të goditet nga inflacioni. Ndërmarrjet ekonomike po ashtu janë duke funksionuar me vështirësi nga mungesa e fuqisë punëtore etj.
Duke marrë shkas nga kjo situatë sipas shumë analistëve është Republika e Turqisë ajo që është duke tentuar të përfitojë terren. Kështu e nxitur nga detyrimi për sa më shumë fitore në Ukrainë, si dhe për ta ruajtur më çdo kusht kontrollin Gjeorgji, Putini edhe po të dojë nuk mund të jap kontribut më të madh në mbështetje të aleatit të tij në Siri. Ashtu edhe siç kishte ndodhur në rajonin e Nagorno-Karabah të Azerbejxhanit, të banuar me popullsi etnike armene, i cili u braktis befasisht nga ushtria mbrojtëse ruse.
Ndërkohë, është kriza e fundit në Kore të Jugut, e cila paraqet një tjetër poligon të testimit të këtyre rivaliteteve. Ndonëse kjo krize e brendshme për shkak të vendimit të presidentit, Yoon Suk Yeol, për ta shpallur fillimisht ligjin e luftës, por që më pas u tërhoq për shkak të protestave masive në vend, megjithatë pë shkallëzimi i saj po ashtu mund të ketë implikime gjeopolitike në Lindje të Largët. Siç dihet ky shtet është njëri nga aleatët kryesor të SHBA-ve dhe për kohë të gjatë ka shërbyer si hapësirë për të penguar agresivitetin e Kores së Veriut si dhe së bashku me ishullin e Tajvanit si kundër peshë ndaj Kinës. Me këtë rast, çdo destabilizim i mundshëm i atij shteti do të krijonte favore të jashtëzakonshme si për shtetin komunist që kohën e fundit e ka forcuar tej mase aleancën me Rusinë duke e furnizuar edhe këtë të fundit me trupa ushtarake kundër Ukrainës.
Këto kriza tregojnë se tensionet ndërmjet Kinës, Rusisë në njërën dhe Perëndimit në krye me SHBA-në në anën tjetër, janë intensifikuar më shumë se asnjë herë tjetër me parë. Secila prej tyre janë duke luftuar për ta minuar ndikimin dhe hegjemoninë e tjetrit në shumë fronte. Ato edhe mund të konsiderohen si “paralajmërim zyrtar” i një lufte botërore. Nën ndikimin e këtij ankthi tashmë shumë shtete evropiane si Gjermania dhe shtetet skandinave kanë filluar t’i paralajmërojnë qytetarët e tyre se si të përgatiten për këtë situate apokaliptike globale./tvarbëria/