Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Kriza e depërtimit!

Kriza e depërtimit!

Shkruan: Altin Ademi
Kriza e depërtimit!
Teksa zgjedhjet janë afër, njerëzit natyrshëm kanë më shumë prirje të komentojnë veprimet politike të aktorëve që synojnë të qeverisin, ndërsa nga ana tjetër, aktorët përkatës, natyrshëm, janë angazhuar në dërgimin e mesazheve dhe qëllimeve, përmes të cilave synojnë formimin e “masave politike” nga të cilat presin votën.
Por ajo që e karakterizon “epokën aktuale politike” në Kosovë është tendenca për një zhvendosje të theksuar nga koncepti që “shoqërorja është politike” në atë që “personalja është politike”.
Me fjalë të tjera, është e qartë se shoqëria kosovare tash e një kohë të gjatë është duke kaluar në një krizë politike të brendshme, në përpjekje për ta vendosur “personalen” mbi “shoqëroren”, ndërsa pamundësia dhe papjekuria që i karakterizojnë aktorët politikë për t’i bërë të qarta përparësitë dhe disavantazhet e këtyre koncepteve, ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në këtë krizë.
Produkti i kësaj krize është mungesa e interesit politik për “shoqëroren” nga ana e aktorëve në njërën anë, si dhe paaftësia e tyre për ta ndërtuar një identitet për “personalen” në anën tjetër. Të dy këto rrafshe kanë prodhuar mosbesimin nga ana e votuesve.
Kur jemi tek “shoqërorja”, dështimi kryesor në këtë drejtim vjen përmes sjelljes ndaj Kosovës si një hapësirë që duhet të sanuar vazhdimisht. Nuk ka një vizion historik për Kosovën, ka vetëm sanim të historisë. E historia tregon se kurdo që një shoqërie i shterret imagjinata për një vizion historik, interesi dhe interpretimi domosdoshmërisht do të rikthehet në të kaluarën për të gjetur arsyet e veta, gjë që e përshpejton rënien më poshtë se ku jemi aktualisht.
Kjo më së miri shprehet me riinkarnimin e figurave politike në listat e partive. Të jepet përshtypja sikur e ardhmja duhet të rikthehet në të kaluarën për të marrë kuptimin e plotë si e ardhme. Dhe në këtë drejtim, të gjitha partitë janë në të njëjtin nivel.
Por, nëse ka një zhvendosje të pavetëdijshme nga përpjekja për të ndërtuar një “vizion historik” për Kosovën dhe në vend të saj, vendosjen e një apeli politik për “personalen”, të cilin duhej ta përkthenin në platformë elektorale, problemi qëndron tek pamundësia për ta mbushur boshllëkun që lë “shoqërorja” me një alternativë “personale”.
Ndërtimi i një identiteti për “personalen” është keqkuptuar jashtëzakonisht shumë nga ana e partive politike, apo nga paaftësia e tyre ideore për të zhvilluar një doktrinë të qendrueshme kuptimplotë se “çfarë e përbën personalen si sferë”.
Në përpjekje për t’i ikur kompleksitetit të “shoqërores” dhe për ta vendosur një perspektivë të “personales”, aktorët politikë kanë nisur ta perceptojnë këtë të fundit nga statusi i tyre personal. “Personalja” si politikë, kurrë nuk ka qenë dhe as nuk mund të jetë statusi personal i politikanëve. Por në Kosovë, po ndodh pikërisht kjo.
Facebook-u dhe rrjetet tjera sociale e kanë nxitur një angazhim politik, i cili, si model, ka në qendër “vetveten” e politikanëve. Nuk ka asgjë të përbashkët me “mënyrën e përbashkët të jetesës”. Si rezultat, sa më shumë që politikanët obsesionohen me vetveten përmes Facebook-ut, aq më të thellë e bëjnë hendekun me realitetin politik të qytetarëve. Çfarë dobie kanë qytetarët nga “politikanët” që nisin ditën me postime në Facebook, përmes të cilave përpiqen të na tregojnë se “nuk i ka marrë gjumi” apo kur na shfaqin fotografi ditëlindjesh dhe urata për data historike e personazhe romanesh, apo kur presin të na dëftojnë të vërtetat e tyre sikur fakte që duhet t’i dimë dhe t’i përvetësojmë të gjithë ne të tjerët? Kujt i intereson kjo temë? Kujt i bëhet vonë për këtë temë? Askujt.
Ndonëse qëllimi im nuk lidhet me interferimin e agjendës së politikanëve dhe partive politike, nuk mund ta lë pa vendosur një paragraf se çfarë e përbën “personalen politike”.
“Personalja politike” është kërkesa ekskluzivisht politike që sfidat dhe përpjekjet tona individuale për t’u materializuar në jetë, të jenë në vëmendjen e politikës si sferë, dhe që përmes akteve e normave, të ndërtohet hapësira përmes së cilës individët të mund të zhvillojnë një projekt personal jetësor.
Kjo madje shkon drejtpërdrejt në kundërshtim me një “shtet të madh e paternalist”, prej të cilit “personalja” kërkon të “çlirohet” e jo të mbështetet në të. Prandaj, kriza aktuale në mungesën e imagjinatës kolektive për një vizion historik kolektiv në njërën anë, shoqëruar me paaftësinë për mundësimin e një projekti personal jetësor për
individin në anën tjetër, përbëjnë dy tipare që me gjasë, do ta demotivojnë qytetarin për t’i marrë seriozisht zgjedhjet e ardhshme.
A mund të ndryshojë kjo? Po. Kanë mbetur edhe dy muaj kohë për partitë politike që të reflektojnë thellë e të përcaktohen më qartë se a janë duke na ofruar “një mënyrë të përbashkët jetese” apo në vend të kësaj “një hapësirë që qytetarët të mund t’i ndjekin projektet personale jetësore”. Le ta shohim dhe të shpresojmë!”

Themes by WordPress