Shoqëria civile dhe partitë opozitare po e konsiderojnë ndërhyrje në punën e institucioneve të pavarura postimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili atakon Prokurorinë Speciale për mospunë në ngritjen e aktakuzave për krime lufte.
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala, thotë se nuk i takon kryeministrit Albin Kurti të interferojë në punën e institucioneve të pavarura kushtetuese.
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, beson se “përkushtimi” i Kurtit në trajtimin e kësaj teme tani është për të larguar vëmendjen nga situata kaotike në të cilën ndodhet vendi.
E deputeti i partisë në pushtet, Mefail Bajqinovci, nuk konsideron se shefi i Qeverisë ka bërë ndonjë ndërhyrje në gjyqësor, por vetëm ka bërë apel që sa më shpejt të merren masa që të ndiqen kriminelët që kanë bërë masakra në Kosovë.
Sipas Shalës së IKD-së, në shkrimin e kryeministrit Kurti janë dy çështje problematike.
“Çështja e parë e patejkalueshme është ‘e drejta’ e kryeministrit dhe aktorëve politikë për të ndikuar dhe interferuar në punën e institucioneve të pavarura kushtetuese, siç është prokurori i Shtetit. Në rastin konkret, në asnjë rrethanë në një vend ku sundon ligji nuk mund të mendohet se i jepet kjo e drejtë aktorëve të caktuar politikë që të japin deklarata që nxisin mosbesim ndaj institucioneve, siç është prokurori i Shtetit dhe kjo është e përcaktuar sipas Kushtetutës”, ka thënë Shala.