Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i është kundërpërgjigjur ministres së Puneve të Jashtme, Donika Gërvalla, cila në një shkresë të saj drejtuar Radoniqit ka sulmuar këtë institucion.
Në shkresën e saj, Gërvalla ka sulmuar ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për “disa hapa” që kanë shkelur “detyrimet ligjore në raport me konsultimin e obligueshëm dhe bashkërendimin e aktiviteteve përgatitore dhe vendimarrëse me MPJD-në.
Për këtë konstatim të Gërvallës, një nga amëtarët e KQZ-së e ka pyetur sot Radoniqin në mbledhjen e KQZ-së.
Radoniqi ka mohuar se KQZ-ja ka shkelur detyrimet ligjore.
“Konsideroj se KQZ nuk ka shkelur asnjë detyrim ligjor, përkundër faktit se nuk e kemi nënshkruar memorandumin, pasi që s’kemi pas kompromis. Nuk e konsideroj shkelje ligjore. Shkeljet ligjore u përcaktojnë institucionet ligjore, por deri më tani nuk kemi konstatime”, tha Radoniqi.
Ndryshe, Gazeta Paparaci ka raportuar dje se Qeveria e Kosovës ka tentuar të ndërhyjë në punën e Komisionit Qendor të Zgjedhjeve, institucion i pavarur, duke provuar që në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të bëhet pjesë e organizimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në krye me Donika Gërvallën është përpjekur për miratimin e një memorandumi bashkëpunimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përmes të cilit synonte të siguronte “bashkëpunim mes palëve në organizimin dhe administrimin e të gjitha formave të votimit” për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit.
Megjithatë, KQZ e ka refuzuar këtë memorandum.