I përballur me një numër gjithnjë e më të madh të grave që kundërshtojnë kodin e detyrueshëm të veshjes, shefi i drejtësisë iraniane i ka kërcënuar ato se do t’i ndjekë penalisht “pa mëshirë” gratë që shfaqen në publik pa mbulesë, sipas raportimeve të mediave iraniane të shtunën.
Paralajmërimi i Gholamhossein Mohseni Ejeit vjen pas një deklarate të së enjtes, 30 mars, nga Ministria e Punëve të Brendshme që ritheksoi ligjin e detyrueshëm të qeverisë për hixhab.
“Zbulimi është i barabartë me armiqësi sipas vlerave [tona]”, citohet të ketë thënë Ejei nga disa mediume iraniane. Ata “që kryejnë veprime të tilla anormale do të ndëshkohen” dhe do të “ndiqen penalisht pa mëshirë”, tha ai, pa zbuluar se për çfarë dënime e kishte fjalën.
Ejei, kreu i drejtësisë iraniane, tha se oficerët e zbatimit të ligjit ishin “të detyruar t’ua referonin autoriteteve gjyqësore krimet e vërejtshme dhe çdo lloj anomalie që është në kundërshtim me ligjin fetar dhe ndodh në publik”.
Një numër gjithnjë e më i madh i grave iraniane kanë vendosur t’i heqin mbulesat e tyre pas vdekjes së një gruaje kurde 22-vjeçare gjatë kohës sa ishte në paraburgim, pas arrestimit nga policia e moralit në shtator të vitit të kaluar. Mahsa Amini ishte arrestuar për dyshimin se kishte shkelur rregullin e hixhabit.
Forcat qeveritare kundërshtuan dhunshëm revoltën mbarëkombëtare disamujore që pasoi vdekjen e Mahsa Aminit.
/TV Arbëria