Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kreshnik Ahmeti: Nuk mund të jap afate se kur do të anëtarësohet Kosova në Këshillin e Evropës

Kreshnik Ahmeti: Nuk mund të jap afate se kur do të anëtarësohet Kosova në Këshillin e Evropës

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti e ka cilësuar si të suksesshëm procesin e deritanishëm të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Në një intervistë për mediumin TV Arbëria ai i ka përshkruar fazat e këtij rrugëtimi dhe se në cilën fazë gjendet aktualisht Kosova.

Sipas tij, tashmë shteti ynë është në përmbyllje të fazës së dytë të këtij procesi, ku pritet që të votohet raporti i  Dora Bakoyannis nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, për t’i hapur rrugë fazës së tretë.

Mirëpo, ai është rezervuar që të jap data dhe afate se kur mund të finalizohet ky proces. Për më shumë z.Ahmeti ka kujtuar se edhe vendeve të tjera të rajonit procesi i anëtarësimit u ka zgjatur prej tri deri në pesë vjet. Prandaj, Kosova nuk është keq në këtë drejtim, pasi nuk kanë kaluar as dy vite që nga data e aplikimit.

Sidoqoftë, ajo që është me rëndësi, sipas zyrtarit të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, tashmë nuk ekzistojnë dilema sa i përket së anëtarësimit të Kosovës për të qenë pjesë e Këshillit të Evropës.

Dilema e parë juridike është larguar në shtator të vitit 2022 kur departamenti ligjor ka deklaruar se nuk ekzistojnë pengesa për Kosovën të qenë vend anëtar. Kurse dilema e dytë është larguar me raportin e juristëve eminentë të këtij trupi, të publikuar në nëntor, në të cilin thuhet se sistemi ligjor është në përputhje të plotë me standardet e Këshillit të Evropës, madje edhe në raste të caktuara i tejkalon edhe ato ndërkombëtarë.

Po ashtu edhe në kuptimin politik e kemi parë që i kemi votat, kur i kemi siguruar 2\3 në fazën e deritanishme, megjithatë nuk e marrim këtë si të mirëqenë, prandaj edhe lobimi po vazhdon çdo ditë.

/TV Arbëria