Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kreshnik Ahmeti: Anëtarësimi në Këshill të Evropës nuk është i kushtëzuar nga zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit

Kreshnik Ahmeti: Anëtarësimi në Këshill të Evropës nuk është i kushtëzuar nga zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit

Për Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti nuk janë të vërteta zërat se pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është i kushtëzuar nga zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

Në një intervistë për TV Arbëria, ai ka pohuar se nuk mund të thuhet se Kosova nuk po pranohet në këtë organizatë, përkundrazi shteti ynë është në procedurë të anëtarësimit. Në këtë mënyrë, ky proces deri më tani nuk ndryshon nga rruga që kanë ndjekur edhe vendet tjera rajonale.

Sipas z. Ahmeti as në raportin e juristëve eminentë nuk ekzistojnë kritere të para anëtarësimit, po ashtu kritere të tjera shtesë nuk parashihen as në draftin e zonjës Bakoyannis.

Për më shumë, Republika e Kosovës qëndron shumë më mirë sa i përket zbatimit të standardeve se sa disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës dhe qëndron shumë më mirë sesa shumica e vendeve anëtare kur kanë qenë në fazën e para anëtarësimit ku është sot Kosova.

Para së gjithash Kosova e ka një kushtetutë jashtëzakonisht progresive, veçanërisht në çështjet e minoriteteve. Kështu shumë nga shtetet e rajonit kur kanë aplikuar kanë pasur propozime që ta ndryshojnë kushtetutën në disa pika.

Ndërkohë, “Kosova është vendi më demokratik në rajon, si dhe jemi shteti i parë në rajon për sundim të ligjit, i dyti në Evropë dhe i treti në botë për reforma në drejtësi, reforma këto që po bëhen në bashkëpunim të plotë me Komisionin e Venecias, që është një mekanizëm i vet Këshillit të Evropës”, ka përfunduar Ahmeti.

Megjithatë, nuk mund të mohet fakti, se pikërisht shefat e misioneve të Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe në Kosovë, kohë më parë përmes një komunikate të përbashkët kanë thënë se “qeverisë së re të Kosovës iu dha një mandat i fuqishëm për reforma dhe respektim të sundimit të ligjit”.

Dhe se provë kryesore e vendosmërisë së saj në këtë drejtim do të jetë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Prandaj, vështirë të jetë e besueshme se kjo çështje nuk do të ketë reflektohet në fazat e mëtutjeshme të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Video e plotë:

/TV Arbëria