Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Krejt çka dihet deri tani për sulmin e kanalit të ujit në Zubin Potok

Krejt çka dihet deri tani për sulmin e kanalit të ujit në Zubin Potok

Gjatë ditës së djeshme ka ndodhur një shpërthim në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me këtë rast është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit, shkruan TV Arbëria.

Rastin dje e konfirmoi edhe zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili deklaroi se organet e rendit po punojnë që të zbardhet rasti sa më shpejt.

Nga ky kanal i dëmtuar furnizohen me ujë, Liqeni i Ujmanit, disa qytete të tjera, po ashtu edhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave.

Pas kësaj udhëheqësit e shtetit, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha kanë dalur në terren për të monitoruar ngjarjen nga afër.

Sveçla këtë sulm e cilësoi si terrorist duke thënë se në këtë shpërthim kemi të bejmë me eksplozivë.

“Pas lajmërimeve Policia ka ardhur në vendin e ngjarjes. Meqë rast është parë se si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit është cilësuar si infrastrukturë kritike është dëmtuar”,

Nuk po flasim për armë të vogla. Po flasim për eksplozivë, që nuk është e lehtë të gjindet në tregun e zi. Kjo patjetër që vjen nga rezervat nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”, deklaroi Sveçla.

Pas shpërthimit kreu i shtetit, Albin Kurti mbajti konferencë të jashtëzakonshme ku u shpreh se sulmi është orkestruar nga Serbia.

Ndër të tjera Kurti tha se disa pjese të Kosovës rrezikojnë të mbesin pa rrymë e ujë.

“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulmi i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë se vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të këtilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe, ku riparimi është i vështirë. Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes. Disa qytete dhe një pjesë e Prishtinës, kryeqytetit, rrezikojnë të mbeten pa ujë të pijshëm”, deklaroi Kurti në konferencë.

Gjithashtu Kurti paralajmëroi mbledhje të Këshillit të Sigurisë.

“Menjëherë pas kësaj konferencë, unë do të takoj edhe komandantin e KFOR’it dhe do të mbajmë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës”, tha Kurti.
Rreth sulmit ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila thotë se bandat kriminale kanë humbur çdo betejë me Kosovën.

Presidentja u bën thirrje qytetarëve për qetësi derisa organet e rendit hetojnë rastin.

“Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës.

Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste. Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj ketyre elementeve kriminale janë jetike.

I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë. Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”. ka shkruar Osmani.

Reagimet nga ndërkombëtarët

Ambasadori amerikanë në Kosovë Jeff Hovenier, e ka dënuar ashpër sulmin në Zubin Potok.

“Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi.

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në solidaritet me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë këtyre sulmeve kriminale”, ka thënë ambasadori.

Edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav e ka dënuar këtë sulm dhe ka shprehur mbështetje për shtetin e Kosovës.

“Dënoj incidentin e rëndë që shkaktoi dëme në kanalin ujor në Zubin Potok që po privon pjesë të konsiderueshme të Kosovës nga furnizimi me ujë. Unë u kam ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, ka shkruar ambasadori i BE-së.

Ndërsa Ambasadori britanik në Kosovë Jonathan Hargreaves është shprehur se rasti duhet të hetohets a më shpejt dhe se sulmi është bërë me qëllim.

“Incidenti serioz në Zubin Potok sonte ka pasoja potencialisht të rënda për furnizimin me energji dhe ujë në komunitete të ndryshme në shumë pjesë të Kosovës. Duhet të hetohet shpejt për ndonjë sulm të qëllimshëm ndaj infrastrukturës kritike”, ka thënë ambasadori britanik.

Reagim ka ardhur edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili e ka dënuar ashpër sulmin, dhe ka ofruar mbështetje për Kosovën.

“Dënoj fuqishëm sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok që prek komunitetet në mbarë Kosovën. U bëjmë jehonë thirrjeve për hetim të plotë dhe vënien e autorëve para drejtësisë. Gjermania është e gatshme të mbështesë autoritetet kosovare”, ka thënë ambasadori gjerman.

Ndërkohë Këshilli i Sigurisë ka aktivizuar FSK-në dhe policinë për të siguruar objekte dhe shërbime të caktuara.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj.

Sot ministrja Artane Rizvanolli ka njoftuar se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës, pas shpërthimit të mbrëmshëm në Zubin Potok.

Ajo ka thënë se tek kanali i dëmtuar nga sulmi janë vendosur 6 tuba të përkohshëm. /TV Arbëria

Njoftimi i saj:

Themes by WordPress