Kreu i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Artur Krasniqi thotë se toleranca ndërfetare në Kosovë nuk është siç ka qenë.
“E kam dëgju disa herë prej disa zyrtarëve politik. Ne hala kemi njëfarë krekosje, krenarie që na jemi shembulli më i mirë në botë për bashkëjetesë fetare. Ne kemi pasë shembuj të mirë, por nëse kemi pasë këto duhet me u ushqy prapë. Nuk mundesh me u bazu në një diçka që ka qenë para 50 vjete. Nuk ekziston mo”, ka thënë Krasniqi.
Ai si shembull ka marrë nëse dikush vendos të konvertohet nga musliman në të krishter. Sipas tij, i njëjti fyhet e diskriminohet nga të tjerët.
“Muslimanët në Kosovë në përgjithësi nuk mujnë me thanë që Kosova është qysh po e shprehim na tolerante. Këtë duhet me e lanë pakica me e thanë. Pyetne një të krishter protestant a ndjehet ai që Kosova është tolerante, kur ai vendos me besu, psh me lanë islamin dhe me u ba i krishterë, pyete sa është Kosova tolerante, çfarë çmimi paguan ai. Nëse ti vendos me besu ndryshe, je i diskriminum ti, je i fym dhe i shamë. Mjafton me pa në rrjete sociale”, ka deklaruar ai në ARB Debat me Rid Berishën që transmetohet në TV Arbëria.