Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se PDK mbështet rezolutën e propozuar për të dënuar sulmin terrorist në veri të vendit.
Ai tha se sot nuk është koha që të flasin për betejat e brendshme politike.
“Kjo sot nuk mund të jetë një seancë e zakonshme… Sot para se gjithash nuk do të flasim për betejat e brendshme politike, sepse e kemi një temë më të rëndësishme, e kemi Kosovën tonë…. Duhet të jemi në krye të detyrave dhe përgjegjësive tona”, tha ai.
I pari i PDK-së tha se është e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi vendin tonë adresën kryesore e ka në Beograd.
Ai kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të nisë një hetim urgjent për sulmin terrorist të Serbisë ndaj Kosovës.
“Duhet të jemi vigjilent për atë që mund të ndodh…”, tha ai.
/TV Arbëria