Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se situata në veri është paralajmëruar kohë më parë nga partia e tij.
Krasniqi ka thënë se barrikadat po kthehen në përditshmëri para syve të ekzekutivit, teksa thotë se kjo e fundit vetëm po heshtë.
Ai ka thënë se Qeveria po heshtë e po shikon, por se vështrimi nga larg nuk është zgjidhje, ka theksuar.
“Në pjesën veriore të Kosovës po ndodhë pikërisht ajo që kemi paralajmëruar ditë më parë dhe, e cila, në asnjë mënyrë nuk guxon të ndodhë. Barrikadat po kthehen në përditshmëri para syve të Qeverisë. Vetëm pse Qeveria po heshtë dhe po e injoron si fakt, kjo nuk do të thotë se në pjesën veriore nuk po krijohet një realitet i ri. Për ata që kanë veshë për të dëgjuar, e sy për të parë, këmbana po bie. Fuqishëm. Zëshëm”, ka shkruar në Facebook.
Krasniqi ka deklaruar se as kompromiset e mëtutjeshme nuk janë zgjidhje, ndërsa ka kërkuar veprim të menjëhershëm institucional për heqjen e barrikadave.
“Ushtrimi i sovranitetit dhe i shtetit ligjor, si dhe funksionimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit kërkojnë veprim të menjëhershëm dhe konsistent institucional. Barrikadat duhet të hiqen pa asnjë vonesë”.
Krasniqi i ka kërkuar urgjentisht Qeverisë plotësimin e kushteve të policëve që të zbatojnë rendin dhe ligjin në veri.
“Koha është për rikthim të normalitetit dhe garantim të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës në këtë pjesë të shtetit tonë. Për atë çfarë mund të bëhet sot, nesër mund të jetë shumë vonë. Kosova nuk e ka këtë komoditet. Sovraniteti i shtetit tonë po cenohet. E ardhmja jonë po rrezikohet. Kërkohet reagim i menjëhershëm. Hiqni ato barrikada të turpshme dhe dëshmojuni qytetarëve se jeni pranë tyre. Mos e braktisni Kosovën!” shkroi tutje Krasniqi.
/TV Arbëria