Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Krasniqi: Serbia e di që ushtria serbe nuk guxon të hyjë në Kosovë

Krasniqi: Serbia e di që ushtria serbe nuk guxon të hyjë në Kosovë

Profesori Milazim Krasniqi, ka thënë se Serbia e di që kthimi i ushtarëve serbë në Kosovë është i pamundur dhe kjo është taktikë për ta maskuar aktivitetin paramilitar të serbëve lokalë, të cilët paraqesin rrezikun real për konflikt.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se ushtria serbe nuk guxon të hyjë në Kosovë, sepse ia ndalon Marrëveshja Teknike-Ushtarake por mund të shërbejë si bazë logjistike për paramilitarët lokalë.

Ai ka shtuar se meqë Serbia po kërkon kthimin e ushtrisë në Kosovë, në kundërshtim me marrëveshjen, Kosova duhet të kërkojë respektimin e zonës së ndaluar, në pajtim me Marrëveshjen e Kumanovës.

Postimi i tij i plotë:

Ministri serb i mbrojtjes ka deklaruar se Serbia është e gatshme të dërgojë trupat e veta në Kosovë. Pastaj ka shtuar, demek, nëse e lejojnë. Zyrtarët serbë e dinë që kthimi i ushtrisë serbe është i pamundur, por flasin për atë temë se gjoja kthimi është i mundur. Në fakt, kjo është taktikë për ta maskuar aktivitetin paramilitar të serbëve lokalë, të cilët paraqesin rrezikun real për konflikt. Dihet qartë se ushtria serbe nuk guxon të hyjë në Kosovë, sepse ia ndalon Marrëveshja Teknike-Ushtarake. Por ushtria serbe mund të shërbejë si bazë logjistike për paramilitarët lokalë. Ky është problem me të cilin duhet të preokupohen akterët ndërkombëtar. Mënyra në efikase e ndërprerjes së penetrimit të armëve e mercenarëve serbë është nëse rikthehet në fuqi ndalimi i prezencës së ushtrisë serbe në zonën pesëkilometërshe me Kosovën, sikundër parashihet me Marrëveshjen Teknike-Ushtarake. Pra, meqë Serbia po kërkon kthimin e ushtrisë në Kosovë, në kundërshtim me marrëveshjen, Kosova duhet të kërkojë respektimin e zonës së ndaluar, në pajtim me Marrëveshjen e Kumanovës.    /TV Arbëria

Powered by WordPress