Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Krasniqi: Rritje e dyshimtë e pasurisë së zyrtarëve, për katër vite mbi 240 mijë euro patundshmëri

Krasniqi: Rritje e dyshimtë e pasurisë së zyrtarëve, për katër vite mbi 240 mijë euro patundshmëri

Dardan Krasniqi ka ngritur shqetësime lidhur me deklarimin e pasurisë së një zyrtari të lartë publik, i cili, sipas tij, ka ushtruar funksione në disa pushtete dhe aktualisht mban pozita në Qeverinë e tanishme.

Sipas Krasniqit, krahasimi mes deklarimit të pasurisë në vitin 2021 dhe atij në vitin 2025 tregon një rritje të konsiderueshme të pasurisë, ku brenda rreth tre deri në katër vite janë blerë patundshmëri në vlerë mbi 240 mijë euro.

“Vetë deklarimi i pasurisë nga ana e tij tregon se për katër vite ka arritur të blejë patundshmëri me vlerë të lartë,” ka shkruar Krasniqi, duke shtuar se këto të dhëna janë publike dhe të qasshme në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Ai ka kritikuar ashpër reagimet publike, duke thënë se sulmet shpesh drejtohen ndaj atyre që ngrenë dyshime, e jo ndaj zyrtarëve që, sipas tij, kanë pasuri të mëdha të arsyetuara si trashëgimi.

“Me hajna nuk ka shtet,” shkruan Krasniqi, duke vënë në pikëpyetje integritetin e institucioneve dhe transparencën e zyrtarëve publikë.

Në fund, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që vetë të hyjnë në faqen zyrtare të Agjencisë Anti-Korrupsion dhe të kontrollojnë deklarimet e pasurisë së deputetëve, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë publikë.

“Suffiton të shikoni se si nga viti në vit është rritur pasuria: banesa, garazhe, toka, vetura – sidomos gjatë këtyre pesë viteve të Qeverisë Kurti,” përfundon ai.