Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Krasniqi: Qeveria të ndajë fonde për komunat e prekura nga vërshimet

Krasniqi: Qeveria të ndajë fonde për komunat e prekura nga vërshimet

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sot ka deklaruar se gjendja e vendbanimeve të prekura nga vërshimet në Skënderaj, Mitrovicë e Istog, si dhe Podujevë e Klinë, po vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rëndë.

Krasniqi ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të mblidhet me urgjencë dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura nga vërshimet.

“Banorët e atyre zonave po përballën me vështirësi të mëdha, përfshirë mungesën e strehimit. Shtëpitë e dëmtuara e të pabanueshme, dëmet ekonomike dhe shkëputja totale nga normaliteti, e kanë bërë situatën emergjente dhe për këtë kërkohet reagim i shpejtë. Përkundër se komunat janë në krye të detyrës, kjo barrë është më e madhe sesa që ato mund ta përballojnë. Andaj, ftoj Qeverinë e Kosovës që të mblidhet me urgjencë, sa më parë, dhe të marrë vendim për të ndarë fonde financiare emergjente për komunat e prekura, si dhe t’iu përgjigjet përmbushjes së nevojave të tyre, për sanimin e gjendjes dhe strehimin sa më të shpejtë të njerëzve në shtëpitë e veta.”, ka shkruar ai në Facebook, duke shtuar se shembulli i qytetarëve në solidaritet me njëri-tjetrin është frymëzues, “por koha kërkon veprim me përgjegjësi institucionale e shtetërore”.

“Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë e saj, sot dhe menjëherë.”, ka shtuar ai.

Ndryshe, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, në disa qytete të Kosovës ka pasur vërshime.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, sot ka informuar se pas ndaljes së reshjeve të shiut, vendi ka kaluar natë të qetë, por me intervenime të ndryshme në zona të caktuara. Sipas MPB-së, aktualisht, po intervenohet edhe në infrastrukturën e prekur nga vërshimet në mënyrë që shërbimet dhe qarkullimi për qytetarët të normalizohet.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se reshje me intensitet të ndryshuar pritet të ketë deri më 25 janar./TV Arbëria

Vërshimet në Skënderaj, dëmet dhjetëra miliona euro