Memli Krasniqi ka përsëritur edhe njëherë gjatë ditës qëndrimin se të rinjtë në Kosovë, nuk po e shohin Kosovën si vend të realizimit të ëndrrave të tyre.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, theksoi edhe njëherë këtë qëndrim me anë të një postimi në Facebook, ku tregoi se ka vizituar shkollën fillore “Zef Lush Marku” në Velezhë të Prizrenit.
“Sot, në shkollën fillore “Zef Lush Marku” në Velezhë të Prizrenit, zhvillova një bashkëbisedim të mrekullueshëm me gjeneratën e Pavarësisë së Kosovës, fëmijët e lindur në vitin 2008, për rrugëtimin e deritanishëm si shtet dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen.
Ishte kënaqësi të ndaj me ta emocionet e papërsëritshme të asaj dite, si një ndër nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Janë pikërisht këto ëndrra rinore për të cilat sot Kosova ka nevojë. Është fatkeqësi situata me të cilën po ballafaqohemi aktualisht, ku rinia jonë po e sheh realizimin e ëndrrave të tyre në shtete tjera”, ka shkruar Krasniqi.
E ndonëse shpreh shqetësimin për situatën e të rinjve në vend, Krasniqi ka bërë thirrje për nisjen e një etape të re të zhvillimit të shtetit tonë.
“Ëndrrat e të rinjve tanë duhet të jenë prioriteti dhe frymëzimi ynë i përditshëm, që bashkë të nisim një etapë të re të zhvillimit të shtetit tonë, që ato ëndrra të realizohen këtu – në Kosovën tonë.
Krahas zotimit se do të jem mbështetësi më i madh i ëndrrave që ata kanë – atyre u kërkova vetëm një gjë: Besoni në një të ardhme më të mirë – Besoni në Kosovë!”, ka përfunduar postimin kryetari i PDK-së.
Këto aktivitete e vizita vijnë në kuadër të shënimit të asaj që Memli Krasniqi, e ka cilësuar si “Java e Pavarësisë”, për nder të 15-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
/TV Arbëria