Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së ka reaguar pasi Gjykata Speciale refuzoi mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Sipas tij, ky vendim përfaqëson një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet mbi të cilat ajo duhet të qëndrojë: objektiviteti, paanshmëria dhe e vërteta.
“Çlirimtarët, familjet e tyre, ne dhe cilido qytetar i Kosovës nuk kemi kërkuar favore, por vetëm drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet. Që nuk e ngatërron lirinë me fajin. Sepse liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë.”, thuhet në reagimin e Krasniqit.
Sipas tij, drejtësia mund të vonohet por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë.
“Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre. Krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për këtë vend mbeten të pathyeshme – përjetësisht!”, vazhdon tutje postimi.