Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas miratimit në lexim të dytë të projektligjit për zyrtarët publikë.
Krasniqi ka potencuar se përmes ligjit për zyrtarët publikë, misioni i ri i Qeverisë është largimi masiv nga puna i zyrtarëve publikë, “shantazhimi, politizimi dhe nënshtrimi i tyre”.
“Ligji për Zyrtarët Publikë parasheh ndërprerjen e kontratave të punës për rreth 1600 zyrtarë të nivelit të mesëm dhe të lartë drejtues dhe ripërcaktimin e këtyre pozitave me mandat 4 vjeçar. Përtej shkeljeve të të gjitha normave vendore, ky Ligj bie ndesh edhe me detyrimet që Kosova ka marrë ndaj Bashkimit Evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe parimet evropiane për administratën publike. Si përfundim, ky ligj ka vetëm një qëllim: duke shkelur mbi djersën dhe kontributin e zyrtarëve të ndershëm publikë, Qeveria Kurti synon të shkatërrojë gjithçka që është arritur deri më sot dhe t’i hapë rrugë punësimit masiv të militantëve partiakë, si metodë për të vënë shtetin nën kontrollin e Lëvizjes Vetëvendosje.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka shtuar se PDK nuk do të qëndrojë duarkryq dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese, “ku, duke besuar në drejtësi, presim rrëzimin e padiskutueshëm të tij.”
Kuvendi i Kosovës, sot e ka miratuar në lexim të dytë projektligjin për zyrtarët publikë.
Projektligji ka marrë mbështetjen e deputetëve të pushtetit me 58 vota për, asnjë kundër dhe katër abstenime, ndër ta edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ndërsa, partitë opozita e kanë kundërshtuar atë. /TV Arbëria