Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > ​Krasniqi: Licencimi u shkaktoi telashe federatave, kategorizimi i takon KOK-ut e jo MKRS-së

​Krasniqi: Licencimi u shkaktoi telashe federatave, kategorizimi i takon KOK-ut e jo MKRS-së

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, e vlerëson si një vit tejet të suksesshëm vitin 2022, sa i përket suksesit të sportistëve së Kosovës në garat ndërkombëtare.

Në një intervistë, i pari i KOK-ut, theksoi se sukseset e arritura si në xhudo, boks, karate e sporte të tjera, kanë dëshmuar edhe njëherë që Kosova ka kapacitete dhe cilësi për të dominuar në shumë sporte ku merr pjesë, duke sfiduar me sukses shtete më të fuqishme evropiane e botërore.

Krasniqi: Viti 2022 i solli Kosovës numër të madh të medaljeve evropiane e botërore

“Patjetër se e vlerësoj si një vit shumë të suksesshëm edhe nga aspekti i sportistëve dhe medaljeve që i kemi pasur nga shumë federata dhe shumë atletë, mirëpo mund të them lirisht që ka qenë një vit shumë i suksesshëm edhe aktiviteteve të tjera siç janë organizimet e ndryshme nga federata e ndryshme në Kosovë, por edhe nga vetë Komiteti Olimpik i Kosovës…Rezultatet më të mira kanë qenë ato që i kemi marrë nga kampionatet evropiane dhe botërore, mirëpo edhe ato mesdhetare gjatë vitit 2022, kështu që kemi pasur mjaftë edhe nga xhudo, edhe nga boksi, edhe nga karateja, edhe nga EA Sports, e shumë federata të tjera”, tha Krasniqi.

Në fund të vitit 2022, për herë të parë në Kosovë u mbaj mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të Lojërave Mesdhetare. Sipas Krasniqit, bordi i këtij komitetit ka lënë të hapur mundësinë që në një të ardhme të afërt, Kosova në bashkëpunim me Shqipërinë ta organizojnë një edicion të Lojërave Mesdhetare.

Krasniqi: Kosova dhe Shqipëria së shpejti mund t’i organizojnë Lojërat Mesdhetare

“Besoj që ka qenë një aktivitet shumë i rëndësishëm edhe për Komitetin Olimpik të Kosovës, mirëpo edhe për vet shtetin tonë si Kosovë sepse kemi prezantuar aftësitë tona të organizimit edhe kemi marrë shumë lëvdata nga të gjithë krerët më të mëdhenj të kësaj organizate, duke filluar nga presidenti, sekretari dhe të gjithë anëtarëve të bordit të kësaj organizate…Tashmë vetëm e kemi target, ajo është Shqipëria, vendi ynë, vëllezërit tanë, kështu që këto biseda kanë qenë edhe më herët sa i përket këtij evenimenti që mund ta organizojmë dhe besoj që do të bëhet në një të ardhme të shkurtër në organizim me Kosovën dhe Shqipërinë”, bëri të ditur Krasniqi.

I pari i KOK-ut në mesin e vështirësive të vitit 2022, përmend licencimin e federatave, proces ky që u ka sjellë mjaftë telashe, por përkundër të gjithave, ai pret që gjithçka të mbyllet me sukses gjatë muajit janar.

Krasniqi: Përkundër vështirësive, pres që licencimi i federatave të mbyllet me sukses

“Padyshim se ka qenë një sfidë shumë e madhe për të gjitha federatat, edhe për ne si Komitet Olimpik i Kosovës sepse kemi qenë gjatë gjithë kohës në ngjarje duke i motivuar dhe duke i ndihmuar të gjitha federatat që kanë pasur nevojë… Në fillim kanë qenë disa vështirësi, mirëpo me kohën e kanë kaluar dhe tashmë veç jemi në ngjarje që disa federata janë licencuar dhe shumë të tjera pritet të licencohen gjatë muajit janar”, theksoi Krasniqi.

Nga viti 2024, pritet që kategorizimin e federatave dhe sporteve ta bëjë Ministria e Sportit në bashkëpunim me KOK-un. Këtë e ka zbuluar, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, por Krasniqi thotë se tashmë i kanë dhënë vërejtjet e tyre në lidhje me këtë çështje. Sipas tij, kjo është një punë që duhet kryer nga KOK-u.

Krasniqi: Kategorizimi i federatave i takon KOK-ut, i kemi dhënë vërejtjet tona në MKRS

“Sa i përket kategorizimit, edhe sivjet Komiteti Olimpik i Kosovës e bënë kategorizimin e të gjitha federatave, kurse për vitin tjetër, vitin 2024, atëherë është një bashkëpunim mes Komitetit Olimpik të Kosovës dhe ministrisë. Është e vërtetë ajo që thatë ju, ka qenë një draft, jo një marrëveshje e përfunduar, mirëpo, ne i kemi bërë ato kërkesat tona dhe mospajtimet tona që besoj se do të merren parasysh edhe nga ministria dhe patjetër që do të jetë një bashkëpunim mes Komitetit Olimpik dhe ministrisë, mirëpo besoj që shumica do të jetë nga ana e Komitetit Olimpik sepse Komiteti Olimpik i Kosovës, është në ngjarje shumë më shumë për të gjitha federatat dhe jemi në dijeni të rezultateve dhe aktiviteteve të tyre shumë më shumë se të gjithë dhe është detyrë e jona”, shtoi Krasniqi.

Ndërsa mbështetja financiare për federatat dhe sportistët do të vazhdojë të rritet gjatë vitit 2023, risia e këtij viti, sipas Krasniqit, do të jetë dhënia e bursave për trajnerët në mënyrë që të nxjerrin në pah sa më shumë sportistë kualitativë.

Krasniqi: Për herë të parë, në vitin 2023 do të ndajmë bursa edhe për trajnerët

“Tashmë ne i mbështesim 22 bursistë olimpikë sepse synimet tona kanë filluar për “Parisi 2024″, por dua ta ceki edhe një gjë që ka ndodhur për herë të parë në Kosovë, ku Komiteti Olimpik i Kosovës jep bursa edhe për trajnerë sepse besoj që trajnerët janë ata kryesorët të cilit e nxjerrin një sportist sepse pas çdo sportisti të mirë e të suksesshëm qëndron pas tij edhe trajneri i suksesshëm, kështu që besoj se do të jetë një motivim shtesë për trajnerët e Kosovës, të cilët do të përfitojnë nga këto bursa. Ata trajnerë do të jenë trajnerë të cilët kanë medalje evropiane, botërore apo mesdhetare. Besoj që në të ardhmen edhe do ta shtojmë numrin, mirëpo kjo është krejt falë edhe sponsorëve tanë të cilët dua t’i falënderoj sepse pa ndihmën e tyre, pa përkrahjen e tyre nuk do të kishim mundur ne si komitet që t’i japim edhe këto bursa, këto ndihma dhe përkrahje për të gjithë sportistët.”, tha në fund Krasniqi.

Në fund, Krasniqi zbuloi se Komiteti Olimpik i Kosovës do të zhvendoset në zyre të reja në javët e para të këtij viti.    /TV Arbëria

Powered by WordPress