Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Krasniqi: Kurti mori poena për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe – tani s’po mund t’i mbajë as në veri

Krasniqi: Kurti mori poena për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe – tani s’po mund t’i mbajë as në veri

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi në një intervistë të dhënë në “Prime Time”, ka folur rreth mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të vendit.

Krasniqi ka vlerësuar se mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve është një shqetësim i madh, sepse kjo i bie që një kryeministër nuk po mundet t’i mbajë zgjedhjet në një pjesë të territorit të vetë.

“Kjo është një shqetësim i madh për Kosovën dhe duhet të jetë edhe kryeministri sepse pjesa veriore është e Republikës së Kosovës e atje duhet të shtrihet sovraniteti. Nuk mundet një kryeminisër të dal të marrë poena me mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë e mos me mujt m’i majtë zgjedhjet tona në Kosovë. Është shqetësueses nëse shtyhen se si një kryeministër nuk po mundet me i mbajt zgjedhjet në vendin e vet dhe detyrohet t’i shtyj.”, ka thënë ajo.

Tutje, Krasniqi ka thënë se ndërkombëtarët duhet të sanksionojnë Serbinë për mos zbatimin e marrëveshjes së Ohrit sepse sipas saj, është menduar që kjo ujdi do t’i largojë tensionet nga veriu.

“Ne kemi mëndu që pas marrëveshjes gjendja në vëri të qetësohet, por kemi një kryeministër që me arrogancë e mos koordinim me aleatët tanë ka lënë veriun pa Prokurori, polici e pa kryetar komune. Kemi mëndu që kjo gjendje të qetësohet, por përderisa data e zgjedhjeve po afrohet, gjendja po bëhet edhe më e tensionuar. Qeveria duhet ta merrë me seriozisht këtë punë. Sa i përketë serbëve, ndërkombëtarët duhet të marrin sanksione ndaj tyre sepse po e shohim që marrëveshja e Ohrit nuk po zbatohet.”, ka thënë ajo.

/TV Arbëria

Powered by WordPress