Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pasur sot një takim të përbashkët me anëtarët e Kryesisë dhe deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.
“Kryetari Krasniqi vlerësoi lartë angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend, ku në sesionin e ri parlamentar, përveç çështjes së energjisë, ata kanë ngritur tema me rëndësi për qytetarët e Kosovës të cilët po ballafaqohen me shumë vështirësi, si pasojë e një qeverie të paaftë dhe të dobët”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit të përbashkët mes anëtarëve të Kryesisë dhe deputetëve të PDK-së, u diskutua edhe për nevojën e zgjerimit të komunikimit më të madh me qytetarët e vendit, pa dallim, për të parë nga afër nevojat dhe kërkesat e tyre, si dhe për të definuar mënyrat e adresimit sa më të mirë e më serioz të tyre.
Shkrimi i plotë i tij:
Sot, mbajtëm takimin e përbashkët të Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, ku diskutuam për zhvillimet e fundit në vend.
Vlerësoj lartë angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, të cilët, në sesionin e ri parlamentar, përveç çështjes së energjisë, kanë ngritur tema me rëndësi për qytetarët të cilët po ballafaqohen me shumë vështirësi – si pasojë e një qeverie të paaftë dhe të dobët.
Gjatë këtij takimi diskutuam edhe për nevojën e zgjerimit të komunikimit më të madh me qytetarët e vendit, pa dallim, për të parë nga afër nevojat dhe kërkesat që ata kanë, si dhe për të definuar mënyrat e adresimit sa më të mirë e më serioz të tyre.
Nga vizitat që kam pasur në vazhdimësi nëpër Kosovë, kam parë një trend të madh të emigrimit dhe zbrazjes së qyteteve tona – si rrjedhojë e humbjes së shpresës se kjo qeveri mund të ndërtojë një perspektivë pozitive për ta.
Sipas shifrave dhe analizave, fatkeqësisht, ata të cilët po lëshojnë më së shumti Kosovën në dy vitet e fundit janë pikërisht rinia, e cila në një situatë tjetër do të duhej të ishte forca më e madhe për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit tonë.
E kuptoj zhgënjimin e të rinjve në kërkim të një jete më të mirë, megjithatë, largimi jo gjithmonë është zgjidhja. Qytetarët e Kosovës, veçanërisht të rinjtë, duhet të kenë besim te mundësitë që ofron vendi ynë, përkundër sfidave të kohës me të cilat po ballafaqohen. Bashkë, me shumë dashuri, vullnet e përkushtim – po, edhe me sakrificë, Kosovën mund ta bëjmë vend më të jetueshëm e të denjë për ta ndërtuar të ardhmen tonë.
Besoni në Kosovë!
/TV Arbëria