Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Krasniqi ia përsëritë Kurtit pyetjet për dialogun: A ofron propozimi evropian mundësinë e marrëveshjes finale?

Krasniqi ia përsëritë Kurtit pyetjet për dialogun: A ofron propozimi evropian mundësinë e marrëveshjes finale?

Kuvendi i Kosovës po mban debat parlamentar për zhvillimet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në seancën e sotme të Kuvendit u tha që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të jetë “i sinqertë dhe transparent” për këtë proces.

Debati parlamentar lidhur me dialogun është iniciuar nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, që në kërkesën e shkruar ka thënë se në dy vitet e fundit, dialogu ka hyrë në rrugën që nuk çon drejt marrëveshjes finale.

Çka është qëllimi i propozimit evropian? A ofron ky propozim mundësinë e marrëveshjes finale? A është ky vazhdim i dialogut apo pikënisje e re? A ka kornizë kohore ky dialog?”, këto ishin disa nga pyetjet e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, drejtuar kryeministrit Kurti.

Krasniqi shtroi dhe pyetje tjera, që kryesisht lidheshin me propozimin evropian.

“Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e këtij propozimi dhe a e parasheh njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve i njëjti? Si dhe, a parashihet vazhdimi i dialogut edhe pas marrëveshjes?”, pyeti ai.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë dialogut me Serbinë, mbi bazën e dy qëllimeve fillestare.

Qëllimi i parë, siç tha ai, është ndërprerja e praktikës së përfshirjes së çdo çështjeje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve, në fushëveprimin e dialogut. Ndërkaq, qëllimi i dytë, sipas tij, është hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dy shtete të pavarura që e bazojnë marrëdhënien e tyre mbi premisën e njohjes së dyanshme të shtetësisë.

/TV Arbëria

Powered by WordPress