Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Krasniqi: “Gjykata Speciale është ndërtuar mbi hakmarrje, shantazhe e propagandë kundër UÇK-së”

Krasniqi: “Gjykata Speciale është ndërtuar mbi hakmarrje, shantazhe e propagandë kundër UÇK-së”

Analisti Milazim Krasniqi ka komentuar zhvillimet rreth Gjykatës Speciale, duke ngritur disa hipoteza për mënyrën se si, sipas tij, është ndërtuar dhe funksionon ky institucion. Në një shkrim të tij, Krasniqi thotë se pas Gjykatës qëndron një komplot i ndërlikuar, ku janë përfshirë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm që, siç thotë ai, synojnë të kompromentojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe vetë shtetin e Kosovës.

“Sipas fakteve që janë zbuluar tashmë, mund të ngrihen disa hipoteza mbi komplotin mbi të cilin punon dhe është ngritur Gjykata Speciale. E para, Gjykata Speciale duket se ka gjetur terren të përshtatshëm tek pasioni i disa njerëzve e familjeve shqiptare për hakmarrje. Serbia e ka njohur mirë këtë dobësi shqiptare të gjakmarrjes dhe e ka shfrytëzuar në maksimum, duke rekrutuar individë e familje me pasion hakmarrës ndaj figurave qendrore të UÇK-së,” ka shkruar Krasniqi.

Ai përmend edhe përfshirjen e “dëshmitarëve të rrejshëm, profiteve personale dhe shantazheve”, ndërsa shton se “një rol negativ kanë pasur edhe hetuesit dhe prokurorët e huaj të korruptuar”.

“Gjithsesi edhe përçarja e faktorëve politikë është faktor me ndikim në tërë këtë skenar ogurzi të armiqve të Kosovës. Natyrisht, në themel të Gjykatës mbetet shantazhi që është bërë ndaj politikanëve e deputetëve për formimin e Gjykatës Speciale nga qeveria e Partisë Demokratike të SHBA-së dhe nga shtete europiane e struktura të BE-së, të cilat as që e njohin Kosovën si shtet,” ka shkruar tutje Krasniqi.

Ai paralajmëron se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së mund të ketë pasoja të rënda për shtetin e Kosovës. “Nëse dënohen Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi për krime lufte, hapen dilema dramatike për shtetin e Kosovës: mund të ketë tërheqje të njohjeve, bllokim të njohjeve, përjashtim nga organizatat ndërkombëtare ku Kosova aderon, rebelim të serbëve lokalë, inkursion ushtarak nga Serbia… dhe rrjedhimisht delegjitimim, izolim e copëtim të shtetit,” ka përfunduar Krasniqi, duke theksuar: “Mbani mend!”.