Analisti politik Albert Krasniqi ka komentuar gjuhën dhe klimën që po dominon në fushatën e partive politike për zgjedhjet e 7 qershorit, duke vlerësuar se debati publik po degradon në sulme personale.
Sipas Krasniqit, fushata po karakterizohet nga një gjuhë gjithnjë e më agresive dhe denigruese, duke e larguar fokusin nga programet dhe problemet reale të qytetarëve.
Ai përmendi si shembull deklaratën e Glauk Konjufcës ndaj presidentes Vjosa Osmani, e cila u etiketua si “frizere”, duke e cilësuar këtë si tregues të nivelit të ulët të diskursit politik.
Krasniqi u ndal edhe te incidenti në Skenderaj, ku është përfshirë Sami Lushtaku në një sulm fizik ndaj një zyrtari të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se raste të tilla janë shqetësuese dhe të papranueshme në një proces demokratik.
Ndërsa tha se partitë politike duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe ta zhvillojnë fushatën mbi ide, programe dhe respekt ndaj kundërshtarit politik.