Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Krasniqi: Dialogu me epilog dhe njohje të ndërsjellë, interesi jonë shtetëror

Krasniqi: Dialogu me epilog dhe njohje të ndërsjellë, interesi jonë shtetëror

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti t’i njoftojë në detaje rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ai ka thënë se seanca e thirrur nga PDK nuk ka qëllim përplasjeje e akuza por synon informim legjitim për atë se çfarë po ndodh aktualisht në procesin e dialogut.

Krasniqi ka propozuar që pas debatit, shefat e grupeve parlamentare të hartojnë një tekst të rezolutës e cila sipas tij do të reflektonte qëllimet dhe qëndrimet e Kuvendit të Kosovës në raport me planin evropian si dhe procesin e dialogut në përgjithësi.

Krasniqi: Dialog me epilog dhe njohje të ndërsjellë, kjo është fjalia bazë

Dialog me epilog, njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, kjo është fjalia bazë që e përmbledh interesin tonë shtetëror dhe konsensusin tonë politik rreth asaj se çfarë do të duhej të arrinin nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë“, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se përballë Serbisë dhe aspiratave të saj nuk ka dallime në Kosovë.

Krasniqi: Përballë Serbisë dhe aspiratave të saj nuk ka dallime mes nesh

Përballë Serbisë e aspiratave të saj mes nesh nuk ka dallime, përballë Serbisë jemi bashkë, por ja që u duhet që ne si opozitë ta ftojmë qeverinë në këtë debat për shkak se teknikisht po shohim që ka pasur lëvizje në dialog, megjithatë edhe ne ashtu si edhe qytetarët jemi të painformuar rreth këtyre lëvizjeve dhe veçmas pasojat që ato mund të prodhojnë për shtetin dhe shoqërinë tonë. Prandaj kjo seancë e ftuar nga ne nuk ka karakter të përplasjes e as të akuzës, ka karakter të kërkesës për informim krejt legjitim me atë se çfarë po ndodh aktualisht në dialog dhe cili është pozicioni i qeverisë përballë zhvillimeve të fundit. Nuk jemi këtu për të dhënë qëndrimet tona për çështje specifike sepse ne zyrtarisht nuk e dimë se cila është përmbajtja dhe aranzhmanet që ofrohen në të ashtuquajturin propozim franko-gjerman apo evropian, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se shtyllat e marrëveshjes eventuale janë ruajtja e karakterit unitar të shtetit sipas rregullimit aktual kushtetues, njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në Partneritet për Paqe si hap i parë, marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkim Evropian, dhe njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi: Kërkojmë nga kryeministri të bëhet i përgjegjshëm dhe të na njoftojë rreth procesit të dialogut

Sot jemi këtu të kërkojmë nga kryeministri të bëhet i përgjegjshëm e të na njoftojë në detaje rreth së paku tri çështjeve konkrete secila prej tyre me pyetje specifike. Së pari, çka është qëllimi i propozimit evropian, a ofron ky propozim mundësinë e arritjes së marrëveshjes finale ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obligative për palët apo vetëm krijimin e një status quo të re që e zëvendëson ‘status quo’ aktuale. A është ky propozim vazhdimësi e dialogut të deritashëm, apo një pikënisje e një procesi të ri. Cila është korniza kohore për arritjen ose mos arritjen e marrëveshjes potenciale, a është formati i këtij propozimi një lloj traktati që njeh si etnitete sovrane edhe Kosovën edhe Serbinë. Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e këtij propozimi, a keni pranuar këtë tekst në parim dhe sa besoni që mund të ndryshojë teksti final prej versionit që keni deklaruar se e pranoni si bazë të mirë. A e parasheh propozimi evropian njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga kryeministri të tregojë se a e ofron propozimi evropian një kornizë kohore të saktë se kur do të ndodh njohja e ndërsjellë.

Krasniqi: Kush janë garantuesit e zbatimit të marrëveshjes që mund të arrihet

Kush janë garantuesit e zbatimit të marrëveshjes që mund të arrihet përmes këtij propozimi, a keni garanci nga partnerët ndërkombëtarë që Kosova do të njihet nga pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian nëse arrihet marrëveshja. Cilat do të jenë karotat për Kosovën nëse arrihet marrëveshja dhe cilët do të jenë shkopinjtë nëse marrëveshja nuk arrihet. A ju keni kumtuar gjashtë pikat tuaja për themelimin e Asocacionit partnerëve ndërkombëtarë dhe nëse ato nuk pranohen a do të tërhiqeni nga ndonjëri prej atyre kushteve. Dhe a parashihet vazhdimi i dialogut në Bruksel edhe pas arritjes së marrëveshjes potenciale, ka thënë Krasniqi.

/TV Arbëria

Powered by WordPress