Kreu i Kishës Protestante Ungjillore të Kosovës, Artur Krasniqi ka folur për Ligjin e ri të Bashkësive Fetare.
Ai thotë se Bashkësia Islame nuk është pajtuar që të ketë Bashkësi të Tarikateve dhe Bektashinjve/
“Njëra prej problemeve që ndodh është edhe fakti se shtohen edhe dy bashkësi fetare: Bashkësia e Tarikateve dhe Bashkësia e Bektashinjve. Kosova duhet t’i ketë 7 bashkësi fetare sipas draftit të ri e që hyn në konflikt direkt me Bashkësinë Islame të Kosovës e cila nuk ka qenë e dakordume, mendon që kjo formë nuk është bë në mënyrë të drejtë, nuk ka pasë bisedë të sinqertë me të si bashkësi, për shkak se është njëfarë lloj ndamje”, ka thënë Krasniqi për ARB Debat me Ridin që transmetohet në TV Arbëria.
Krasniqi tutje ka shtuar se ka pasur edhe mospajtime nëse shteti duhet t’i kontrollojë financat e bashkësive fetare.
“Në Kosovë bektashitë, tarikatet kanë qenë në kuadër të Bashkësisë Islame, edhe në çështjen e pronave e të organizimit. Ndonëse ka dallime doktrinare dhe muslimanët pajtohen se ka. Tani Bashkësia Islame nuk është pajtu me këtë ndarje. Bashkësitë fetare kanë problem me çështjen e financimit, ata kërkojnë që shteti të mos i kontrollojë financat. Këtë e ka kërku Bashkësia Islame. Unë nuk besoj që as në Amerikë nuk ka që shteti nuk i kontrollon financat e bashkësive fetare”, ka thënë ai.