Nezir Kraki, deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka thënë se nuk e sheh të ‘udhës’ që bllokada për zgjedhjen e kryeparlamentarit të shkojë kaq gjatë mbi bazën e disa pretendimeve që, sipas tij, nuk kanë bazë.
Kraki këtë e tha në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në takimin diskutues me titull “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”.
“Situata mundet me ndryshu, votat munden me ndryshu edhe përqindjet. Prandaj, nuk më ka dalë e udhës mua që të bllokohet i gjithë procesi, të bllokohet Kosova, me pasoja që mund të jenë edhe më të rënda, ditëve ose javëve që vijnë. S’më ka dalë e udhës që kjo bllokadë të realizohet dhe të shkojë kaq gjatë mbi bazën e një apo dy pretendimeve që nuk kanë bazë”, ka thënë Kraki.
Kraki u shpreh se nuk është ithtar i tensionimeve apo i fillimit të distancave në mes të partive politike.
“Duhet që kompromisi të jetë i vetëkuptueshëm në politikë, kjo kërkon kulturë politike më të lartë, që konsensusi të realizohet vetvetiu. Nuk e kemi ende atë nivel këtu, sepse nuk mundet tash Gjykata Kushtetuese të llogaritë në mirësjelljen e partive politike. Unë nuk jam që Gjykata të na transferojë neve njëfarë të drejte me u marrë vesh”, u shpreh tutje deputeti i GUXO.
Ndonëse partia në të cilën është deputet është partia me numrin më të madh të deputetëve në këtë legjislaturë, Kraki u shpreh si i ‘pafajshëm’.
“Unë nuk jam fajtor, grupit më të madh i bie doza më e madhe e fajit, por deklarohem i pafajshëm. Edhe atë që e shoh unë, janë dy aspekte sipas meje: është aspekti politik, i cili e ka sensin e vet edhe e ka rëndësinë e vet. Aspekti që i jap unë më shumë rëndësi është aspekti sistemik, strukturor, normativ, dhe ju kisha ftu edhe juve si shoqëri civile me dal edhe ju nga leximi strikt ose politik i çështjeve normative që ndodhin këtu”, tha Kraki.
Po ashtu, deputeti Kraki tha se është ithtar i konsensusit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Do të kishte qenë mirë që ajo që quhet konsensus — unë jam ithtar i konsensusit si princip, sepse konsensusi është aderim i përbashkët në një orientim, në një vizion — dhe ky konsensus që është prit prej partive politike, prej të gjitha partive politike, nuk është dëshmu. Zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit unë e shoh si diçka krejt procedurale dhe nuk më ka dalë asnjëherë në analizat e mia që kjo fazë është dashtë me u politizu, që me ja pa sherrin komplet si shtet, si institucione”, tha Kraki.
Sipas Krakit, në kuadrin legjislativ ka të meta.
“Sistemi në Kosovë është konfirmu këto vitet e fundit që megjithatë reziston. Sipas meje, sapo erdha unë prej Parisit me u marrë me politikë këtu, dhe leximet më të kujdesshme të Kushtetutës, të Rregullores së Kuvendit, vendimet që ka marrë Gjykata ma herët dhe gjithë kuadri legjislativ e sistemi kushtetues, mua më del që janë disa të meta aty, do hapësira për keqkuptim — ose tash që jemi në këtë bllokim”, ka thënë deputeti Kraki.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) të premten organizoi takim diskutues me titull “Kuvendi në pauzë, demokracia në sprovë: A është kompromisi dhe konsensusi zgjidhja?”.
Kjo ngjarje organizohet me mbështetjen e Friedrich Ebert Stiftung.